Banorët e fshatit Zvezdë, në bashkinë e Maliqit, kanë dalë sërish në protestë për mungesën e ujit të pijshëm, duke denoncuar se investimi i kryer për ujësjellësin e ri nuk ka sjellë asnjë përmirësim në furnizimin me ujë.
Sipas banorëve, projekti për ujësjellësin, me një vlerë prej mbi 600 mijë eurosh, është përfunduar prej javësh, por në çezmat e tyre ende nuk rrjedh ujë. Ata shprehen se prej dekadash janë detyruar të sigurojnë ujin nga burimet e fshatit dhe akuzojnë institucionet për neglizhencë dhe mungesë përgjegjësie.
Banorët tregojnë se situata ka krijuar vështirësi të mëdha në përditshmëri, duke i detyruar të mbushin ujë në orët e para të mëngjesit, ndërsa theksojnë se konflikte mes familjeve kanë lindur pikërisht për shkak të mungesës së tij.
Në fshatin Zvezdë jetojnë mbi 1,500 banorë, të cilët vazhdojnë të përballen me mungesën e ujit të pijshëm, pavarësisht investimit të kryer.
Nga ana tjetër, drejtues të Ujësjellës-Kanalizimeve Korçë kanë bërë me dije se projekti është ende në proces zbatimi dhe nuk ka përfunduar plotësisht. Sipas tyre, pas mbylljes së punimeve, banorët e fshatit do të furnizohen normalisht me ujë të pijshëm.


