i Mitko”, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.
Në ekspozitë janë përfshirë libra nga koleksioni personal i Konicës, dokumente dhe fotografi origjinale, të cilat hedhin dritë mbi formimin intelektual, interesat letrare dhe jetën e tij.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Majlinda Toçi, u shpreh se librat e ekspozuar nuk janë vepra të shkruara nga Konica, por botime që i përkisnin bibliotekës së tij personale dhe që dëshmojnë ndikimet në formimin e ideve dhe personalitetit të tij.
Një vlerë të veçantë ekspozitës i japin edhe tetë letra origjinale të Faik Konicës, të viteve 1921–1929, të sjella nga historiani Niko Kotherja. Dy prej tyre janë korrespondenca me Rauf Ficon, ndërsa të tjerat me Pandeli Caleçon. Përmes këtyre dokumenteve zbulohen detaje më pak të njohura nga jeta e Konicës, marrëdhëniet e tij me personalitete të kohës dhe aktiviteti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ekspozita plotësohet nga dy fotografi origjinale të Konicës, të realizuara në SHBA, duke ofruar një këndvështrim më të gjerë mbi jetën dhe trashëgiminë e tij intelektuale.
Përmes librave që lexonte, korrespondencave që mbante dhe dokumenteve që ka lënë pas, ekspozita synon të sjellë më pranë publikut një dimension tjetër të figurës së Faik Konicës, në këtë përvjetor të rëndësishëm të lindjes së tij.


