Një stuhi e fortë shiu, e shoqëruar me erë të fuqishme dhe shkreptima, ka përfshirë Pogradecin pasditen e kësaj të premteje. Reshjet intensive zgjatën për rreth 30 minuta, duke shkaktuar probleme në disa zona të qytetit liqenor.
Sasia e madhe e reshjeve solli vërshime uji në rrugë. Probleme u shënuan në rrugën “Kajo Karafili”, ku si pasojë e bllokimit të grilave të shkarkimit të ujërave të shiut, uji doli në rrugë dhe depërtoi edhe në lagjen muzeale.
Situata problematike u paraqit edhe në shëtitoren e Pogradecit, ku uji vërshoi në disa pjesë dhe depërtoi edhe në disa biznese të vogla.
Ndërkohë, pranë stadiumit të qytetit, sheshi kryesor u mbulua tërësisht nga uji, sërish për shkak të bllokimit të grilave të shiut.
Punonjësit e Ndërmarrjes së Punëve Publike kanë dalë në terren dhe po punojnë për zhbllokimin e pusetave. Me ndalimin e reshjeve, niveli i ujit ka nisur të ulet gradualisht.
Për momentin nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa ekipet në terren vijojnë ndërhyrjet për normalizimin e situatës.


