Zgjohet Skënderbeu! Prej disa javësh ka pasur shumë pikëpyetje rreth së ardhmes së skuadrës korçare, pasi që nga përfundimi i sezonit të shkuar mungonte një zë zyrtar nga klubi. Dështimi ka qenë aq i hidhur në kampin korçar, pasi askush nuk e priste disfatën në javën e fundit në shtëpi ndaj Bylisit, humbje që solli edhe zbritjen në Kategorinë e Parë.
Ardi, një lajm ka ardhur nga Vlora në gazetën tonë, ku flitet se trajneri i Skënderbeut, Ernest Gjoka, është kandidat për të marrë drejtimin e Flamurtarit, cili është komenti juaj?
Nuk e di se cili do të jetë trajneri i Flamurtarit për sezonin 2025-‘26, por mund të konfirmoj që trajneri i Skënderbeut për sezonin e ardhshëm do të jetë Ernest Gjoka.
Keni folur me trajnerin, çfarë ekipi do të krijohet për sezonin e ri?
Me thënë të drejtën, ekipi i sezonit të ardhshëm nuk është se do të ketë nevojë për shumë ndërhyrje. Te Skënderbeu besoj se mund të afrohen 3 ose 4 lojtarë, sepse pjesa e mbetur e futbollistëve janë aktualisht nënkontratë. E konfirmoj që nuk do të largohet asnjeri, me përjashtim të ndonjë surprize, që mund të vijë ndonjë ofertë për ndonjë lojtar të cilës ne nuk mund t’i rezistojmë dot. Kjo është edhe një marrëveshje me lojtarët, që nëse ka një ofertë nga ndonjë klub më i mirë apo jashtë, patjetër që nuk do t’i pengojmë.
Po afrime do të ketë dhe cili është objektivi i Skënderbeut?
Për të zëvendësuar këto 3-4 vende bosh nga lojtarët që u larguan dhe nga nevojat që ka trajneri, jemi duke punuar kryesisht në tregun e huaj. Emra konkretisht nuk mund të përmend, por mund të them që synimi i Skënderbeut është rikthimi sa më shpejt në elitë, duke pasur parasysh se viti i ardhshëm, është viti i fundit që ne, edhe po të ishim në Superiore, nuk do të luftonim për Kupat e Europës.
Mund të themi që ky mund të jetë viti 0 për Skënderbeun dhe nga sezoni tjetër do jetë një kapitull i ri për korçarët?
Nuk e di ta përcaktoj fiks është viti 0 apo jo, por di të them që tifozët e Skënderbeut do të jenë sërish tifozët më krenarë në shqiptari për një kohë jo shumë të gjatë.
Edhe pse ende herët për të folur, sa i vështirë do të jetë rikthimi në Superiore, apo diçka e tillë nuk diskutohet që do të arrihet në ambientin bardhekuq?
Patjetër që do të jetë i vështirë dhe i luftuar. Gjithsesi, ne do të marrim me seriozitet çdo ndeshje dhe me respekt për çdo kundërshtar, por Skënderbeu nuk mund të ketë objektiv tjetër, përveçse të kthehet në elitë, aty ku i takon.
Kur mendohet të rinisë nga puna skuadra për sezonin e ri?
Do të fillojmë më 25 qershor.