Reshjet e rëna gjatë natës në qarkun e Korçës kanë shkaktuar disa problematika të izoluara, ndërsa në përgjithësi situata paraqitet e qetë dhe nën monitorim të vazhdueshëm. Kështu bëhet e ditur nga komunikimi i fundit i strukturave vendore të mbrojtjes civile dhe institucioneve përgjegjëse, në orën 08:30.
Në Bashkinë Korçë raportohet prezencë uji në afërsi të banesave në fshatrat Çiflig dhe Shamoll, në Njësinë Administrative Bulgarec. Ndërkohë, për shkak të prurjeve të shumta të një përroi, rruga që të çon drejt fshatit Denas, në Njësinë Administrative Lekas, është bërë e pakalueshme. Strukturat përgjegjëse kanë marrë masa për ndërhyrje.
Në bashkitë Kolonjë, Maliq, Devoll dhe Pustec nuk raportohen situata emergjente apo dëme si pasojë e reshjeve.
Në Bashkinë Pogradec është konstatuar një rëshqitje dheu në fshatin Dardhas, ku po punohet për rikthimin e kalueshmërisë së rrugës.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, Rajoni Qendër–Lindje, në aksin Lozhan–Moglicë ka pasur rënie gurësh dhe rrëshqitje dherash. Po kryhen ndërhyrjet për pastrimin e rrugës dhe qarkullimi vijon normalisht, me kufizime të përkohshme në zonat ku po punohet.
Nga Drejtoria Rajonale e Ujitjes dhe Kullimit raportohet një çarje në argjinaturë në përroin e Oshticës, në zonën e Bilishtit. Ndërhyrja do të realizohet sapo të ulen prurjet e ujit. Lumi Dunavec ka prurje të konsiderueshme, por aktualisht nuk paraqet rrezik dhe po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
Sa i përket energjisë elektrike, OSHEE bën me dije se për shkak të kushteve atmosferike janë lënë pa energji 502 abonentë në zonën e Nënstacionit Lozhan (Fideri 9), si dhe 1 abonent në Nënstacionin Leskovik (Fideri J07 – Farma Sotira). Grupet e punës ndodhen në terren për rikthimin e furnizimit.


