Një tjetër skandal po trondit qytetarët shqiptarë që kanë nevojë të kryejnë ndryshime në mjetet e tyre. Kompania Shpresa.al, e vetmja e licencuar për të lëshuar certifikata për ndryshimet në automjete, po shndërrohet në një monopol që po rrjep xhepat e qytetarëve.
Nëse një pronar automjeti vendos të instalojë një impiant gazi në makinën e tij, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër përveçse të udhëtojë drejt Tiranës dhe të paguajë tarifat e kripura të kësaj kompanie. Kjo procedurë e detyruar jo vetëm që shton kostot, por edhe humbjen e kohës për qytetarët që jetojnë në rrethe të tjera të vendit.
Për më tepër, mungesa e degëve në qarqe është një problem i madh dhe i pajustifikueshëm. Pse duhet që qytetarët e Korçës, Shkodrës, Kukësit apo Gjirokastrës të udhëtojnë qindra kilometra vetëm për një firmë apo një vulë? Pse ky shërbim nuk ofrohet nga kompani të tjera, për të shmangur abuzimet dhe për të krijuar konkurrencë të ndershme?
Banorët dhe drejtuesit e mjeteve janë të indinjuar dhe kërkojnë që Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Ministria e Infrastrukturës të reagojnë urgjentisht, duke i dhënë fund këtij monopoli që po rëndon mbi supet e shqiptarëve.
“Ky është një abuzim i pastër. Nuk është e mundur që në vitin 2025 të kemi vetëm një kompani që ofron këtë shërbim dhe të detyrohesh të shkosh në Tiranë. Është vjedhje me dokumente”, shprehet një drejtues mjeti për mediat.
A ka ndërgjegjësim institucionet për këtë situatë? A do të hapen degë të tjera të Shpresa.al në qarqe apo do të lejohet që ky monopol të vazhdojë të dëmtojë çdo ditë xhepat e qytetarëve?
Çështja mbetet e hapur dhe kërkon një reagim urgjent nga autoritetet.