Një ndër monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Gorë të Pogradecit i shpëtoi rrezikut të shembjes.
Ura e Niçës, objekt kukture i kategorisë së parë u restaurua nga punonjësit e DRTK Korçë pas vitesh të tëra degradimi. Sipas një fotoje të dërguar nga një banor i zonës, tashmë ura ka marrë pamjen e merituar prej vitesh dhe nuk rrezikon më shëmbjen, shëmbje e cila do të ishte fatale pasi do të humbisnim një tjetër objekt dëshmi e trashëgimisë kulturore dhe historisë së zonës.
E ndodhur pranë fshatit Niçë në Njësinë Administrative Dardhas, kjo urë me hark guri i përket shekullit XVIII. Ajo është shpallur monument kulture me vendimin nr.1886 të datës 10 qershor 1973 dhe u ka shërbyer ndër shekuj banorëve të zonës dhe udhëtarëve si lidhje jetike mbi përroin e fshatit.
Sipas të dhënave historike, ura është ndërtuar mbi një rrugë të lashtë, degëzim i rrugës Egnatia, që përshkonte itinerarin Prrenjas – Guri i Kamjes – Niçë – Llëngë. Dimensionet e saj janë modeste, me rreth 6 metra gjatësi dhe 3 metra lartësi, por vlera e saj qëndron në mjeshtërinë e gurëzimit dhe historinë që mbart.
Tek banorët qarkullon një legjendë e ngjashme me atë të Rozafës, ku thuhet se një nuse e re është murosur në themelet e saj për të mos u shembur kurrë ura.
Edhe pse deri më sot ruhej në gjendje relativisht të mirë, lëkundjet e terrenit dhe erozioni e kishin rritur rrezikun e dëmtimit serioz.
Punimet e realizuara mundësojnë rikthimin e qëndrueshmërisë strukturore dhe garantimin e vazhdimësisë së këtij simboli historik.
Ura ndodhet rreth 15 kilometra nga Pogradeci, në një zonë me akses të vështirë. Rruga e amortizuar lejon vetëm lëvizjen deri në fshatin Beragozhd, prej nga vizitorëve u duhet të ecin përafërsisht dy orë në këmbë për të mbërritur tek objekti.
Restaurimi i urës së Niçës ndikon drejtpërdrejt në promovimin e turizmit kulturor dhe në njohjen e mëtejshme të pasurive të fshehura të Gorës. Zonës nuk i mungojnë turistët e huaj të cilët zakonisht kruejnë udhëtime me motorra drejt këtij destinacioni. Dikur Niça ka pasur tre ura të tilla nga të cilat ka mbetur vetëm një.


