Është zbuluar rrjeta më e madhe e merimangës në botë. E “fshehur” në një shpellë të zezë “sterrë”, që mban emrin “Shpella e Squfurit”, në kufirin midis Greqisë dhe Shqipërisë, rrjeta mendohet të jetë strehë e mbi 111,000 merimangave, sipas studiuesve.
Ajo është e shtrirë në më shumë se një mijë metra katrorë, dhe brenda vetes mban një megakoloni “të jashtëzakonshme” me kryesisht dy lloje merimangash ku përfshihen 69,000 Tegenaria domestica, ose merimanga shtëpiak, dhe 42,000 Prinerigone vagans, të njohura ndryshe si endëse çarçafësh, për shkak të rrjerës së tyre.
Shpella është pjesë e një sistemi me burime që ushqejnë një përrua sulfidik që derdhet në lumin Sarandaporo, raporton The Sun. Në këtë shpellë ka gjallesa nga më të ndryshmet përfshirë njëqindkëmbëshët, akrepat, marimangat dhe brumbujt, dhe po ashtu një numër të konsiderueshëm mizash në hyrje të shpellës që shërbejnë si ushqim për koloninë e “merimangave mamuth”.
“Kolonitë e merimangave, që ndonjëherë tejkalojnë 100,000 individë, shpesh lidhen me bollëkun e lartë lokal të burimeve ushqimore”, tha István Urák, autori kryesor i studimit, nga Universiteti Hungarez Sapientia i Transilvanisë. Ai shtoi se shkencëtarët nuk kishin parë kurrë më parë këtë lloj sjelljeje koloniale nga këto specie merimangash.
Merimangat jetojnë në errësirë totale dhe do të ishin një frikë serioze për çdo vizitor të pavëmendshëm.
Shkencëtarët janë duke e publikuar këtë zbulim “të mahnitshëm” në revistën Subterranean Biology.





