Shtetet e Bashkuara kanë prezantuar zyrtarisht sistemin e ri “FIFA PASS”, një mekanizëm që u jep përparësi tifozëve që kanë bileta për Kupën e Botës 2026 në procesin e intervistës për vizë. Programi synon të lehtësojë udhëtimin e qindra mijëra fansave që priten të udhëtojnë drejt SHBA-së gjatë turneut.
Sipas njoftimeve të FIFA-s dhe Departamentit të Shtetit Amerikan, të gjithë mbajtësit e biletave do të kenë mundësi të rezervojnë termin të përshpejtuar për intervistë në ambasadat dhe konsullatat amerikane në mbarë botën. Ky prioritet vlen vetëm për caktimin e takimit, ndërsa aplikantët do t’i nënshtrohen të njëjtave kritere dhe vlerësime sigurie si çdo kërkues tjetër i vizës.
Zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se janë vendosur më shumë se 400 oficerë konsularë shtesë për të përballuar fluksin e madh të kërkesave që priten nga mbi 100 vende. Objektivi është që në rreth 80% të botës, tifozët me bileta të mund të marrin një slot intervistimi brenda rreth 60 ditësh.
FIFA PASS pritet të hyjë në funksion në fillim të vitit 2026, ndërkohë që tifozët do të përdorin një portal të dedikuar të FIFA-s për të marrë kodin e tyre të prioritetit. Programi nuk garanton marrjen e vizës, por vetëm akses më të shpejtë për intervistë.
Ky zhvillim është veçanërisht i rëndësishëm për tifozët nga Shqipëria dhe rajoni, ku kohët e pritjes për intervistat e vizave amerikane shpesh janë të gjata. Me FIFA PASS, mbajtësit e biletave do të kenë një rrugë të përshpejtuar drejt procesit, duke e bërë më të lehtë udhëtimin për të parë nga afër ndeshjet e Kampionatit Botëror.
Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, dhe pritet të jetë edicioni më i madh në histori.




