Çelet në Pogradec fushata “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave”, në fokus edhe dhuna digjitale
Është çelur në Pogradec fushata ndërkombëtare “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave”, e cila synon ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe institucioneve për parandalimin dhe luftimin e çdo forme dhune me bazë gjinore.
Në fokus të kësaj fushate për këtë vit mbetet edhe dhuna digjitale, një fenomen në rritje që prek veçanërisht gratë dhe vajzat në platformat online, përmes kërcënimeve, shantazheve, publikimeve pa pëlqim dhe gjuhës së urrejtjes.
Gjatë aktivitetit u theksua se situata paraqitet shqetësuese edhe në Pogradec.
Arbi Basho, Koordinator kundër dhunës me bazë gjinore në Bashkinë Pogradec tha se;
“Vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar 40 raste me urdhër mbrojtjeje në Bashkinë e Pogradecit, ku 20 prej tyre lidhen drejtpërdrejt me dhunën digjitale, kryesisht përmes shantazhit, kërcënimit dhe presionit me foto dhe video në rrjete sociale dhe platforma online. Ndaj është koha që të miratohet sa më shpejt kuadri ligjor për këtë formë dhune tha ai.”
Gjatë 16 ditëve në vijim do të zhvillohen aktivitete sensibilizuese, takime informuese dhe bashkëbisedime me të rinjtë, me qëllim forcimin e mesazhit kundër dhunës dhe promovimin e barazisë gjinore.
Organizatorët apeluan për më shumë ndërgjegjësim dhe raportim të rasteve të dhunës, duke theksuar se heshtja vetëm sa e përforcon këtë fenomen, ndërsa reagimi dhe solidariteti janë hapa kyç drejt një shoqërie më të sigurt për gratë dhe vajzat.




