Rritet çmimi i naftës në 95.5 denarë, rreth 1.55 € për litër, publikohen çmimet e reja të derivateve
Komisioni Rregullator për Energjetikë ka publikuar çmimet e reja me pakicë të derivateve të naftës, të cilat hyjnë në fuqi sonte në mesnatë. Sipas vendimit, çmimi i naftës ka arritur në 95.5 denarë për litër (rreth 1.55 euro).
Ky ndryshim vjen pas vendimit të djeshëm të Qeverisë për uljen e TVSH-së për karburantet nga 18% në 10%, që ka ndikuar drejtpërdrejt në formimin e çmimeve.
Sipas çmimores së re, benzina Eurosuper-95 do të shitet me 86.50 denarë për litër (rreth 1.41 euro) dhe mbetet e pandryshuar, ndërsa Eurosuper-98 do të kushtojë 88.50 denarë për litër (rreth 1.44 euro), që është një ulje prej një denari krahasuar me javën e kaluar.
Në anën tjetër, çmimi i eurodizelit shënon rritje dhe do të arrijë në 95.5 denarë për litër (rreth 1.55 euro), përkatësisht 3.5 denarë më shumë se më parë.
Me ndryshimet e fundit në rregullore, Komisioni Rregullator rikthen mundësinë për korrigjim ditor të çmimeve, në vend të përcaktimit një herë në javë. Kjo pritet të mundësojë ndjekje më të saktë të lëvizjeve në tregjet globale dhe të shmangë luhatjet e mëdha të çmimeve.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sonte në mesnatë.


