Pas ngjarjes tragjike që tronditi qytetin e Korçës dhe vuri në pah përdorimin në masë të substancave narkotike nga të rinjtë, vjen rrëfimi i një 29-vjeçari për CNA që tregon rrugën e dhimbshme të varësisë që nga fëmijëria dhe sfidat e përditshme për të rindërtuar jetën.
Tragjedia e rëndë e ndodhur së fundmi në Korçë, ku një 21-vjeçar u ekzekutua nga një 20-vjeçar, ka shërbyer si një kambanë alarmi për shoqërinë, duke treguar realitetin e errët të përdorimit të lëndëve narkotike dhe braktisjen institucionale të të rinjve.
Në këtë kuadër, një 29-vjeçar nga Korça ka vendosur të ndajë për CNA historinë e tij të dhimbshme. Ishte vetëm 13 vjeç kur provoi për herë të parë drogën. Humbja e nënës, mungesa e kujdesit dhe shoqëria me të cilën u rrethua, e shtynë drejt hashashit.
Në moshën 15-vjeçare nisi heroinën, ndërsa në moshën 18-vjeçare kokainën. Sot, pas gati 17 vitesh përdorim heroine, 29-vjeçari po përpiqet të qëndrojë larg drogës përmes trajtimit me metadon. Për CNA ai rrëfen historinë e tij, vështirësitë dhe jetën pas varësisë. Hashashi ishte vetëm fillimi i një historie që do të zgjaste për vite të tëra.
“Mua më ka vdekur mamaja. Në atë kohë që më vdiq mamaja, as një vit fillova drogën, hashashin. 13 vjeç. Epo mamaja më vdiq, unë s’kisha me kë të jetoja se babai në punë. Çfarë do bëja tërë ditën unë? Në atë shoqëri rashë dhe ashtu e bëra. E gjeja unë, se s’ishte problem për ta gjetur. Nga hashashi, nga mosha 15 vjeç fillova të kuqen, heroinën. Pas 3 vitesh pastaj, kur bëra 18, fillova edhe të bardhën, kokainën. Kokainën vazhdova 2 vjet gati. Me heroinën kam gati 17 vjet. 29 jam. Tani po pi metadon, kam ca vite”, shprehet 29-vjeçari.
Sot ai thotë se nuk përdor më drogë dhe merr vetëm metadonin. Por vitet e varësisë kanë lënë pas edhe pasoja sociale e ekonomike. 29-vjeçari tregon se ka bërë punë të rënda fizike për pagesa minimale dhe se ende nuk ka një punë të qëndrueshme.
Pavarësisht historisë së gjatë me drogën, ai mohon të jetë përfshirë në vjedhje apo vepra penale dhe thotë se sot është shkëputur edhe nga shoqëria që përdor substanca. Për të, metadoni është mënyra që po e ndihmon të mos rikthehet te droga.
“Atëherë ka qenë jeta më e bukur se tani. Më duket se atëherë kisha çdo gjë. Tani çfarë? Unë tani dal, punoj, bëj, e përse? Ka qenë e vështirë. Kam ngjitur dru në kat të shtatë për 10 mijë lekë të vjetra. Kam ngjitur rërë, punoja për njerëzit për 5 mijë lekë. Kishte ditë që më kapte edhe 7-8 mijë lekë. Si s’është e vështirë për mua? Po më doli puna merrem, s’më doli, rri. Jo, jo, jo. Asnjëherë. Për vjedhje e për kështu, asnjëherë. As edhe një herë. Dhe nuk do ta bëj. Tani nuk pi më. Pi vetëm këtë ilaç, metadonin. Unë rri vetëm me djalin e xhaxhait tim dhe djalin e hallës së xhaxhait. Dhe ata nuk pinë”, tha ai.
Sot, 29-vjeçari përpiqet të rindërtojë jetën e tij, pas më shumë se një dekade të kaluar nën varësinë e heroinës. Metadoni është tashmë pjesë e përditshmërisë së tij, ndërsa largimi nga droga mbetet një betejë e përditshme. Një histori që nisi në moshën 13-vjeçare, pas humbjes së nënës, dhe që tregon se sa e gjatë dhe e vështirë mund të jetë rruga për t’u shkëputur nga varësia.


