Rikthehen reshjet e dëborës në zonat malore të juglindjes, duke përfshirë fshatrat turistikë dhe disa akse kryesore rrugore, ndërsa strukturat e mirëmbajtjes janë në terren për të garantuar qarkullimin.
Dëborë është regjistruar në zonat turistike të Dardhë dhe Voskopojë, si edhe në territorin e Kolonjë dhe zonën e Mokrrës, përfshirë aksin Qukës–Qafë Plloçë. Në disa zona raportohen probleme të herëpashershme me energjinë elektrike për shkak të motit.
Sipas informacionit të përditësuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar – Drejtoria Qendër Lindje, reshje dëbore kanë nisur në segmentet Libonik–Rëmbec–Plasë dhe në aksin Korçë–Voskopojë, ku po kryhen pastrim dhe kriposje dhe qarkullimi vijon normalisht me goma dimërore.
Në aksin Maliq–Kufi Gramsh, reshjet e shiut gjatë natës kanë sjellë dalje të dy përrenjve me inerte në rrugë dhe po punohet për pastrimin e plotë të segmentit. Reshje bore janë regjistruar edhe në aksin Ersekë–Tre Urat, pa ndikuar në qarkullim. Në akset Korçë–Ersekë, Zemblak–Goricë dhe Bilisht–Miras reshjet janë me intensitet të ulët dhe mesatar, ndërsa grupet e mirëmbajtjes vijojnë punën pa raportime për vështirësi.
Në segmentin k/Boboshticë–Dardhë (Lapidari i Podgories) po operojnë dy mjete borëpastruese dhe rekomandohet qarkullimi vetëm me goma dimërore. Të gjitha akset raportohen të hapura, ndërsa strukturat mbeten në gatishmëri. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar dhe të pajisin automjetet me goma dimërore, veçanërisht në zonat turistike.




