Policia e Qarkut Korçë ka vijuar veprimet procedurale për disa ngjarje të ndodhura në qytet dhe në rrethina.
Në vijim të informacionit paraprak për aksidentin e ndodhur në lagjen nr. 10, në Korçë, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin V. D., 30 vjeç, banues në Korçë. Ai dyshohet se, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar një 78-vjeçare, këmbësore, e cila vijon të marrë mjekim në spitalin e Korçës.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin M. S., 22 vjeç, banues në fshatin Gjonomadh. Sipas policisë, ai ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, pasi ky i fundit ishte i pajisur me urdhër mbrojtjeje. Gjithashtu, dyshohet se ka dëmtuar orendi dhe pajisje në banesë.
Po ashtu, materialet iu referuan Prokurorisë dhe u shpall në kërkim shtetasi E. P., 37 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka përndjekur ish-bashkëjetuesen përmes thirrjeve dhe mesazheve kërcënuese në celular.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë nisën procedim penal për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” ndaj shtetasit E. Xh., 38 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq, i cili dyshohet se ka kaluar ilegalisht në territorin e Greqisë.
Në Devoll, më 25 shkurt 2026, në fshatin Cangonj, ka rënë zjarr në një stallë në pronësi të një 69-vjeçari. Si pasojë është djegur stalla dhe baza ushqimore për bagëtitë. Nga hetimet paraprake dyshohet se zjarri ka rënë për shkaqe aksidentale.
Ndërsa në Komisariatin e Policisë Korçë është paraqitur një 36-vjeçare, e cila ka kallëzuar se prej datës 16 shkurt 2026 i është larguar nga banesa djali i saj 17 vjeç. Policia po punon për gjetjen e tij.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.


