Vetëm përmes një karte krediti Monika Kryemadhi shpenzoi rreth 240 mijë dollarë për veshje, bileta avioni dhe qëndrime në hotele në qytete më të shtrenjta të Evropës.
Bëhet fjalë për kartën e re të krediti, American Expres Centurion, të vënë në dispozicion nga biznesmeni Adrian Shatku, që SPAK e zbuloi së fundmi dhe e njoftoi para GJKKO si pjesë të raportimit 2-mujor të hetimeve.
“Shpenzimet e kryera nga Monika Kryemadhi me kartën American Expres Centurion me numër XXXX XXXXXS-31017, për periudhën Dhjetor 2014- Nentor 2017 kapin vlerën 234,677.83 USD. Sipas përshkrimit të llojit të shërbimit, pagesat e kryera nga Monika Kryemadhi jane kryesisht për blerje ne dyqanet e veshjeve në Londër, Vjenë, Las Vegas, Beverly Hills; pagesa të qëndrimit në hotel në Lbndër, Neë York dhe Las Vegas si dhe bileta avjoni për udhëtimet”, thuhet në raportimin dymujor të SPAK për çështjen e Ilir Metës.
Karta, ashtu se edhe një tjetër më herët që SPAK thotë e raportoi që në fillim të marrjes së masave të sigurisë, janë vënë në dispozicion nga Adrian Shatku, kushëri i Monika Kryemadhit, i cili në dosjen ku çifti Meta-Kryemadhi akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie del një prej personave kyç.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi përdorën të gjithë pushtetin e tyre që kompanitë UNIFI Communication INC dhe UNIFI Holdings INC, në pronësi të biznesmenit Adrian Shatku, të merrnin në Shqipëri lejet për 2 projekte milionëshe, futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjekionit të transferimit të thirrjeve telefonike. SPAK thotë se Shatku përveç vënies në dispozicion të kartave të kreditit pagoi miliona për lobimet e LSI në SHBA por edhe aktivitete të tjera të partisë së atëhershme të Meta-Kryemadhi.
Ish-presidenti Meta më herët ka mohuar çdo lidhje me Shatkun apo të ketë njohuri për këto karta bankare duke u distancuar nga veprimet e ish-bashkëshortes. Madje para gjykatës tha se edhe divorcin e kishte kërkuar pasi kishte zbuluar këto veprime. Megjithatë për SPAK Meta kishte dijeni dhe ishte përfitues njëlloj si Kryemadhi.