Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka referuar disa raste në Prokurori, ku kanë nisur procedime penale për shtetas të ndryshëm.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë proceduar penalisht shtetasin D. D., 39 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike, kokainë. Gjatë kontrollit në banesë, iu gjet gjithashtu një peshore elektronike dhe mbetje të së njëjtës lëndë, të cilat u sekuestruan si prova materiale.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë u referua në Prokurori shtetasi E. P., 33 vjeç, banues në Kamëz, pasi në një lokal në lagjen nr. 17, gjatë kontrollit të celularit të tij, u konstatuan faqe për baste sportive. Aparati celular u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në Pogradec, specialistët për Hetimin e Krimeve nisën procedim penal ndaj shtetasit Ll. K., 38 vjeç, banues në Pogradec, i dyshuar për ushtrim dhune psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Ndërkohë, në Kolonjë, u procedua penalisht shtetasi L. C., 37 vjeç, banues në Leskovik, i dyshuar për ushtrim dhune psikologjike ndaj babait të tij, i cili gjithashtu u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.


