Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për veprat “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësimi i paligjshëm” ndaj shtetasit Dh. M., 49 vjeç, banues në fshatin Mborje, administrator i një firme ndërtimi.
Procedimi u krye pasi, një ditë më parë, në lagjen nr. 4 të qytetit të Korçës, punëtori i firmës, shtetasi M. D., 58 vjeç, është dëmtuar pasi ka rënë nga shkallët gjatë punës për rindërtimin e një kishe. Nga verifikimet rezultoi se 58-vjeçari ishte punësuar në mënyrë të paligjshme nga administratori i firmës.
Ndërkohë, në Kolonjë, më datë 18.12.2025, në fshatin Taç Lart, shtetasi I. I. dyshohet se ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave dhe, si pasojë e përhapjes së flakëve deri te hangari në pronësi të tij, është djegur baza ushqimore për bagëtitë që mbante aty.
Materialet procedurale për të dy rastet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.




