Ngjarje e rëndë është regjistruar sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, ku një person është plagosur si pasojë e shpërthimit të një granate të vjetër.
Sipas burimeve zyrtare, shtetasi G. Y., 49 vjeç, teksa po punonte me mjet bujqësor në tokën e tij, është dëmtuar në trup nga shpërthimi i një mjeti shpërthyes, që dyshohet të jetë një granatë e mbetur nga periudha e luftës.
Menjëherë pas ngjarjes, ai është transportuar në spitalin e Pogradecit, ku po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjes.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zonës që, në rast se konstatojnë mjete të dyshimta ose të vjetra shpërthyese, të mos i prekin, por të njoftojnë menjëherë policinë.




