Nis të marrë jetë një nga projektet më të shumëpritura për qytetin e Pogradecit – “Lungo Gjoli”, një projekt i financuar nga banka gjermane KfW, që pritet t’i japë shëtitores dhe turizmit në Pogradec një impakt të madh turistik dhe ekonomik. Projekti parashikon ndërtimin e një shëtitoreje moderne që nis nga Moli i qytetit dhe shtrihet deri në Drilon, duke lidhur në mënyrë harmonike hapësirat publike përgjatë bregut të liqenit.
Në këtë kuadër, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Pogradec do të zhvillojnë një Diskutim me Publikun në kuadër të Programit të Zhvillimit Rajonal të Integruar (IRDP), BMZ No.: 201867175, me financim nga KfW.
Takimi do të mbahet të mërkurën, më 19 nëntor 2025, në orën 11:30, pranë Bashkisë Pogradec, dhe do të ketë në fokus prezantimin e projektit të zhvillimit të shëtitores përgjatë liqenit si dhe masave të tjera zhvillimore për qytetin.
Gjatë diskutimit do të prezantohen:
💡 Projekt-ideja e ndërhyrjeve;
📊 Analiza e komponentëve kryesorë të projektit.
Në këtë konsultim publik janë ftuar të marrin pjesë autoritetet lokale, grupet e interesit dhe banorët e zonës, me qëllim që të shkëmbehen ide dhe sugjerime për përmirësimin e projektit.
Ky projekt synon rigjallërimin e hapësirave publike përgjatë bregut të liqenit të Pogradecit, përmirësimin e aksesit, infrastrukturës dhe estetikës urbane, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe turistik të qytetit.




