Partia Demokratike, dega Korçë, ka denoncuar publikisht atë që e cilëson si një situatë të përhershme shkeljesh ligjore në Bashkinë e Korçës, të cilat sipas saj po ndodhin pa asnjë reagim institucional dhe me përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike.
Sipas PD Korçë, shkelja e ligjit në këtë institucion është kthyer në normë, ndërsa mungon çdo reagim si nga titullari de jure i bashkisë, ashtu edhe nga titullari de facto, i cili sipas demokratëve duhej minimalisht të kishte ndërhyrë për të ndalur degradimin institucional.
Në deklaratë thuhet se Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportet e tij vjetore, ka rekomanduar vazhdimisht masa administrative dhe disiplinore për një sërë zyrtarësh të Bashkisë së Korçës të konstatuar me shkelje ligjore, administrative dhe procedurale. Megjithatë, sipas PD-së, këto rekomandime ose janë shpërfillur, ose kanë sjellë paradoksalisht gradimin apo mbajtjen në detyrë të të njëjtëve zyrtarë.
PD Korçë i referohet konkretisht raporteve të KLSH-së:
Raporti për Bashkinë Korçë, i publikuar në vitin 2022;
Raporti për Bashkinë Korçë, i publikuar në vitin 2024;
Raporti për Bashkinë Korçë, i publikuar në vitin 2025.
Sipas demokratëve, fakti që të njëjtët emra përsëriten në raportet e KLSH-së për tre vite radhazi tregon qartë se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara apo gabime individuale, por për një model qeverisjeje ku shkelja e ligjit tolerohet dhe mosndëshkimi kthehet në politikë zyrtare.
Në deklaratë theksohet se kur zyrtarë të konstatuar me shkelje vazhdojnë të qëndrojnë në poste vendimmarrëse, përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm teknike, por është politike dhe hierarkike. Heshtja e titullarit ligjor dhe indiferenca e drejtimit politik përballë gjetjeve të KLSH-së cilësohen si bashkëfajësi institucionale.
PD Korçë nënvizon se rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk janë sugjerime fakultative, por detyrime konkrete administrative dhe disiplinore. Moszbatimi sistematik i tyre, sipas deklaratës, e rrënon autoritetin e ligjit dhe inkurajon përsëritjen e shkeljeve.
Në këtë kontekst, Partia Demokratike ngre një sërë pyetjesh publike: Sa masa disiplinore duhen që një zyrtar të largohet nga detyra?
A janë këta zyrtarë të pazëvendësueshëm apo thjesht të mbrojtur politikisht?
A mban përgjegjësi ligjore dhe politike titullari për moszbatimin e raporteve të KLSH-së?
Cila është lidhja reale e këtyre zyrtarëve me Partinë Socialiste dhe sa ndikon përkatësia politike në mbrojtjen e tyre?
Pse zyrtarë të konstatuar për shkelje të rënda rikthehen ose mbahen në të njëjtat pozicione?
Pse Bashkia e Korçës nuk bën transparencë mbi zbatimin e masave disiplinore?
A po përdoret administrata vendore si instrument elektoral?
Sa dëm financiar i është shkaktuar buxhetit të bashkisë dhe taksapaguesve?
Kush përfiton realisht nga kjo situatë dhe pse mbrohen të njëjtët individë?
A ka ndonjë zyrtar që ka mbajtur përgjegjësi reale, apo masat mbeten vetëm në letër?
Sipas PD Korçë, pa përgjigje të qarta ndaj këtyre pyetjeve, Bashkia e Korçës mbetet peng i një sistemi ku ligji zbatohet në mënyrë selektive, përgjegjësia shpërndahet dhe kostoja përfundimtare u mbetet qytetarëve.


