Klubi i Skënderbeut ka zgjedhur trajnerin e ri për ekipin e volejbollit të femrave në prag të sezonit të ri. Olsi Haxhillari do të marrë drejtimin e skuadrës korçare, duke zëvendësuar Oraldo Kojën, i cili është larguar për t’u bashkuar me Dinamon.
Haxhillari, i njohur për përvojën e tij në punën me grupmoshat dhe ekipet e reja, përballet me një sfidë të madhe në këtë aventurë të re. Gjatë javëve të fundit, Skënderbeu ka pësuar një eksod të vërtetë të lojtareve, duke humbur pjesën më të madhe të bërthamës së skuadrës. Një pjesë e mirë e tyre janë transferuar te Pogradeci, ndërsa emra si Begaj janë bashkuar me Dinamon dhe Malo me Tiranën.
Në këto kushte, ndërtimi i një ekipi konkurrues do të jetë një mision i vështirë për Haxhillarin, që duhet të ndërtojë gjithçka nga e para, në një treg të kufizuar për lojtaret shqiptare.
Zyrtarizimi i tij në stolin e Skënderbeut pritet të bëhet menjëherë pas kthimit të trajnerit nga një turne ndërkombëtar për ekipet e reja në volejboll.
Situata në Korçë mbetet për t’u parë, ndërsa drejtuesit e klubit do të duhet të lëvizin shpejt për të ndërtuar një skuadër që të përballojë sfidat e sezonit të ardhshëm.