Në zemër të Tushemishtit, ‘Teto Ollga’ përqafon vizitorët vendas e të huaj
Në qendër të fshatit piktoresk të Tushemishtit në Pogradec qëndron shtatorja e “Teto Ollgës”, personazhit të dashur të ekranit shqiptar, në nderim të aktores së madhe korçare Violeta Manushi.
Kjo vepër arti, e realizuar nga skulptorët Vasillaq Kolevica dhe Sadik Spahia, u ngrit me nismën e ish-kreut të komunës Roshi Tollozhina, duke përjetësuar figurën e aktores që u bë pjesë e pandarë e kujtesës së publikut shqiptar përmes rolit të saj legjendar në filmin “Zonja nga qyteti”.
Sot, shtatorja është kthyer në një pikë referimi dhe destinacion të pandashëm për çdo vizitor që vjen në Tushemisht. Nuk ka turist që të mos ndalet pranë burimit të famshëm, aty ku janë xhiruar skenat e filmave të njohur “Zonja nga qyteti” dhe “Një shoqe nga fshati”, për të bërë një foto kujtim me “Teto Ollgën”.
Ky vend i vogël, i mbushur me kujtime filmike, humor e nostalgji, përcjell një ndjesi të veçantë lidhjeje mes artit, historisë dhe mikpritjes lokale. Tushemishti, përmes kësaj shtatoreje, ruan gjallë shpirtin e kinemasë shqiptare dhe nderon një prej figurave më të dashura të saj.


