Deputeti i Partisë Demokratike, Bledjon Nallbati, është shprehur në seancën e sotme në Kuvend se Devolli është harruar nga qeveria dhe investimet.
Nallbati iu referua deklaratave të deputetit socialist, Genti Lakollari, i cili ishte shprehur se në Devoll ka zhvillim ekonomik dhe investim në bujqësi.
Deputeti demokrat tha se kjo është gënjeshtër, ndërsa shtoi se spitali bashkiak i Devollit është kthyer në një ngrehinë të shkatërruar, pa mjekë dhe pa shërbime.
“Unë nuk i shikoj gjërat me syrin politik, i shikoj gjërat siç janë. Kam kurajën të përshëndes kolegë të mazhorancës kur thonë të vërtetën. Në Devoll dole dhe the se ka zhvillim ekonomik dhe investim në bujqësi. Fole për rikonstruksionin e spitalit rajonal të Korçës. Gënjyet dhe thatë se do të bëjmë rikonstruksionin e spitalit bashkiak të Devollit që është kthyer në një ngrehinë të shkatërruar, pa mjekë dhe pa shërbime. Po devollinjtë a ekzistojnë gjëkundi? A ekziston në tabelën e shpenzimeve prej 9.2 miliardë eurosh emri i Devollit? Duke qenë se Devolli është fshirë nga harta e investimeve, do të të bëj leckë jo ty po këdo që ka mashtruar devollinjtë në çdo fushatë dhe pasi marrin votat nuk i konsiderojnë. Nuk janë këto ato që të turpërojnë”, tha Nallbati.




