Bashkia Kolonjë ka miratuar buxhetin për vitin 2026, i cili shënon buxhetin më të madh të akorduar ndonjëherë në historinë e njësive të qeverisjes vendore në këtë bashki. Ky buxhet hap rrugën për realizimin e një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore, kulturore dhe urbane, që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.
Menjëherë pas përfundimit të procedurave ligjore, projektet e buxhetuara pritet të nisin zbatimin gjatë vitit 2026. Konkretisht, buxheti përfshin:
- Rikualifikim urban, faza III – sheshi pas Bashkisë
- Muzeu Historik i Ersekës dhe Muzeu i Fotografëve të Juglindjes
- Projekti “100 mijë hapat” – shtegu i qytetit
- Rikualifikim urban, faza II – Pedonale–Çezma, Leskovik
- Rikualifikim urban i lagjes nr. 1, Ersekë
- Rikonstruksion i kanalit vaditës Barmash
- Rikonstruksion i kanalit vaditës Taç
Këto investime përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit urban, zhvillimit të turizmit kulturor dhe përmirësimit të infrastrukturës bujqësore në Kolonjë.
Në fokus të veçantë është projekti i rikualifikimit urban pranë Muzeut, ndërtimi i Muzeut të ri të Fotografëve të Juglindjes si dhe rikonceptimi i sheshit pas Bashkisë, i cili do të zgjerojë hapësirën e rilindjes urbane dhe do të lidhë sheshin “Rilindja” me pedonalen e qytetit, duke krijuar një hapësirë të integruar për qytetarët dhe vizitorët.
Bashkia Kolonjë shpreh angazhimin për ta kthyer këtë buxhet në investime konkrete dhe të prekshme, në shërbim të komunitetit dhe zhvillimit afatgjatë të zonës.




