Mbi 800 të moshuar frekuentojnë çdo ditë qendrat ditore në Korçë, Maliq, Pogradec, Devoll dhe Kolonjë, ku angazhohen në aktivitete të ndryshme sociale dhe krijuese. Këto qendra shërbejnë jo vetëm si hapësira argëtimi dhe socializimi, por edhe si mbështetje e rëndësishme për mirëqenien emocionale të kësaj kategorie.
Një pjesë e mirë e të moshuarve merren me punë artizanale, si qendisja, punimet me grep, ndërsa të tjerë ndjekin pasionin për pikturën. Aktivitetet konsiderohen prej tyre si formë relaksi dhe çlodhjeje.
Veronika Zguro shprehet se punëdoret janë pjesë e përditshmërisë së saj:
“Merrem me punëdore, më pëlqen qendisja dhe grepi. Kam bërë guverta, centro, tavolina me grep. Është argëtim, çlodhje, relaks.”
Ndërsa Ana Kapedani tregon se edhe piktura është kthyer në pasion në këtë moshë:
“Ditën e kaloj me shëtitjen në mëngjes, pastaj me punët e shtëpisë dhe në fund bëj ndonjë pikturë. Pimë kafe, bëjmë muhabet me miqtë. Pikturat nuk i shes, ua jap shoqeve.”
Nga ana tjetër, Rrapo Ahmetaj ngre shqetësimin për të moshuarit që jetojnë të vetmuar, duke kërkuar më shumë vëmendje nga institucionet përgjegjëse:
“Organet kompetente duhet të përmirësojnë punën e tyre. Është e domosdoshme që shërbimi social të shkojë tek këta njerëz. Është për të ardhur keq kur fëmijët largohen dhe nuk kthejnë sytë pas për ata që i lindën dhe i rritën.”
Kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, Petrika Tollkuci, bëri të ditur se janë në fazë finalizimi të një projekti që synon mbështetjen e të moshuarve të vetmuar përmes një sistemi sinjalizimi në rast nevoje.
“Të moshuarit që frekuentojnë qendrat ditore ekspozojnë punimet e tyre dhe organizohet edhe ankand, të ardhurat e të cilit përdoren për mirëfunksionimin e qendrave. Presim që përmes projekteve të Bashkimit Europian të realizojmë një projekt për të moshuarit e vetmuar, me sinjalizim në një sallë operative në momentin që kanë problematika,” u shpreh Tollkuci.
Në vitet e fundit kanë qenë të shumta rastet kur të moshuar që jetonin vetëm kanë humbur jetën në banesat e tyre në qytetin e Korçës, ndërsa kanë qenë fqinjët ata që kanë njoftuar autoritetet policore për ngjarjet tragjike.


