Nëpërmjet një aksioni të ndërmarrë ditët e fundit në juglindje të vendit, tregtarët ambulantë që shisnin produktet bujqësore në anë të rrugës nacionale Korçë–Pogradec janë larguar. Sipas institucioneve, prania e tyre pranë aksit rrugor përbën rrezik për aksidente dhe cenon sigurinë rrugore.
Muharrem Shkëmbi, i cili prej më shumë se 10 vitesh siguron të ardhurat familjare nga shitja e produkteve të tij, shprehet se është dakord me rregullat që kërkojnë largimin e tregtimit disa metra nga rruga, por shton se fermerëve u është ndaluar tregtimi edhe brenda ambienteve të pronave të tyre, duke i lënë pa burim të ardhurash.
“Po bëj 10 vite që shes këtu në truallin tim, në token time. Me këtë punë hamë 8 veta, djali me 4 fëmijë burrë grua e dy pleqte. Me mallin që prodhojmë, ate rrojmë. Do i hedhim tani, pa bukë. Zgjidhja është të shes brenda rregullave, vetëm të shes. Ata thonë mos shit as në shtëpi. Ajde merre dhe shtëpinë e të dal në rrugë. Unë do shes e burg e gjobë, se e kam mallin tim. Nuk po shes drogë. Me leje, me lishence, me nipt. Bashkia erdhi dhe me thane e ke fallco. Po mire, paratë pse i paguaja kur ishte fallco? ”
Ndërkohë, një tjetër problem lidhet me një hapësirë të ndërtuar vite më parë me qëllim krijimin e një tregu për fermerët e zonës së Bashkisë Maliq, por që sipas pronarëve nuk ka funksionuar asnjëherë për këtë qëllim.
” me qëllim për treg, nuk ka funksionuar asnjëherë. Sot 2026, ka 24 vite që ne jemi pronarë të tokës, jemi një grup. 20 vite pastaj nuk funksionon më kontrata. Kjo bëhet e përbashkët, nuk varet vetëm nga ne. Duhet të vihet në eficence. Nuk ka patur asnjë interes nga strukturat e tjera. Ne na intereson sepse realisht po humbasim shumë. Ne jemi dakord të vihet në eficence por nuk është vënë. ”
Sipas të dhënave, janë mbi 50 tregtarë ambulantë që tregtojnë përgjatë rrugës nacionale Korçë–Pogradec, ndërkohë që ende mungon një treg i dedikuar për shitjen e produkteve të tyre. Në mungesë të një zgjidhjeje alternative, fermerët shprehen se prodhimet e pashitura detyrohen t’i hedhin ose t’i lënë të dëmtohen, duke sjellë humbje ekonomike për familjet që jetojnë prej bujqësisë.


