Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka finalizuar një sërë veprimesh hetimore dhe arrestimesh për ngjarje të ndryshme të ndodhura në territor gjatë 24 orëve të fundit.
Arrestohet në flagrancë për drejtim mjeti në gjendje të dehur
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor vunë në pranga shtetasin G. S., 49 vjeç, banues në fshatin Goskovë, pasi u kap duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit, duke rrezikuar seriozisht veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.
Dy të rinj, nën hetim për vjedhje celulari
Në Korçë, janë proceduar penalisht shtetasit R. L., 27 vjeç, dhe J. L., 20 vjeç, të cilët dyshohet se i kanë vjedhur celularin një 31-vjeçari. Pajisja u gjet nga shërbimet e Policisë dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Konflikt mes fqinjeve përfundon në dëmtim prone
Shtetasja M. B., 52 vjeçe, banuese në fshatin Mborje, është vënë nën hetim pasi dyshohet se ka dëmtuar derën e banesës së fqinjës së saj, për motive të dobëta.
Prindër të proceduar për dhunë psikologjike ndaj vajzës së mitur
Në një tjetër rast shqetësues, çifti M. P., 60 vjeç, dhe A. P., 48 vjeçe, banues në Korçë, janë proceduar penalisht pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë psikologjike ndaj vajzës së tyre të mitur.
Materialet e të gjitha rasteve i janë referuar Prokurorisë së Korçës, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme procedurale.



