Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka zhvilluar disa veprime operacionale, duke arrestuar dhe proceduar disa shtetas për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme arrestuan në flagrancë shtetasin B. B., 52 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, Maliq, ndërsa nisën procedim penal për shtetasin Gj. P., 37 vjeç, banues në Korçë.
Sipas Policisë, B. B. u konstatua jashtë banese duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Në momentin e kapjes, ai ishte i shoqëruar nga një 22-vjeçar, të cilin dyshohet se do ta ndihmonte të kalonte në mënyrë të paligjshme kufirin me Greqinë kundrejt pagesës 100 euro. Ndërkohë, shtetasi Gj. P. dyshohet se ka ndërmjetësuar këtë veprim.
Në një rast tjetër, specialistët për Hetimin e Krimeve referuan materialet në Prokurori për shtetasin R. T., 22 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” gjetën dhe sekuestruan një shkop bejsbolli.
Po ashtu, specialistët e Komisariatit të Policisë Maliq nisën procedim penal për shtetasin R. G., 28 vjeç, banues në fshatin Gorë, i cili u kap në fshatin Symiz duke transportuar me automjet dru të prera pa leje. Sasia e druve dhe automjeti u sekuestruan si provë materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.


