Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, në vijim të informacionit paraprak të dhënë një ditë më parë për një konflikt të ndodhur në lagjen nr. 14 të qytetit të Korçës, bën me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, pas përfundimit të veprimeve të para hetimore, arrestuan në flagrancë një 17-vjeçar.
I mituri dyshohet se, në ambientet e një lokali, ka plagosur rëndë në dorë me mjet prerës (thikë) shtetasin B. Q., 34 vjeç, banues në Korçë. Ai akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. I dëmtuari po merr mjekim në Spitalin e Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin H. N., 59 vjeç, banues në fshatin Rodokal, i cili dyshohet se, për motive pronësie, ka goditur me send të fortë (levë hekuri) një 83-vjeçar, po nga i njëjti fshat. I moshuari po merr mjekim në spitalin e Pogradecit.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për një 15-vjeçar, banues në Pogradec, i dyshuar se ka thyer me gur xhamin e dritares së banesës së shtetasit G. H., në lagjen nr. 5 të qytetit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori për shtetasin I. T., 42 vjeç, banues në Korçë, administrator i filialit të një subjekti tregtar. Procedimi penal nisi pasi në aksin rrugor “Bilisht–Miras”, në Devoll, u konstatua një automjet që transportonte produkte ushqimore pa faturë tatimore.
Po ashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin A. P., 32 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar për ushtrim dhune psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij, e cila është pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Në vijim, nisi procedimi penal edhe për shtetasin M. D., 45 vjeç, banues në fshatin Velitërnë, Maliq, i dyshuar se është konfliktuar fizikisht me shtetasin A. P., për motive të dobëta.
Të gjitha materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme ligjore.


