Organizatorja Blerta Belliu rrëfen se këtë vit publiku gjeti diçka të veçantë, një ekspozitë me kitarat që kanë shoqëruar këngëtarët e mëdhenj të serenatës, si Vangjush Tushi, familja Sulioti, Ilia Vinjau, Furxhi, Peleshi, Terova, por edhe kitara e aktorit të madh Pandi Raidhi, pjesë e filmit “Përballimi”.
“Serenata vjen në edicionin e dytë. Në këtë edicion do të kemi tre nete të veçanta. Natën e parë e nisëm nga themelet. Në këtë dyqan që është simbol i filmit Përballimi, Pandi Raidhi e menduam ta nisim kështu, ka kaq shumë që këndonin serenatë. Kitarat mjafton të them që është e Vangush Tushit, kitarë 120 vjeçare. Kitarë e Ilke Vinjau që bëri Lulen e Saksise. Jane autorët e vërtetë të serenatës, Asdreni, Kristo Floqi, Motrat Maliqari ata të cilëve u është marrë teksti, u është ndryshuar e sjellë sipas qejfeve të gjithsecilit. ”
“Askush nuk këndon dhe nuk dashuron siç bën Korça”, shprehet këngëtarja Lazarela, këngëtarja që ka 40 vite që këndon serenatën
Korçari nuk jeton dot pa serenatën. Edhe ai që nuk këndon e këndon serenatën. Në çdo event gëzim familjar po nuk kënduan pak serenatë. Këndon me shpirt. Dashuron me shpirt. Korçari është sqimatar”
Mes publikut, dy të huaj të ardhur nga larg, u magjepsën nga tingujt dhe atmosfera. Për ta, serenata nuk ishte thjesht muzikë, por një gjuhë universale që flet për dashurinë.
“Jam e lumtur që erdha. Hera e parë në Shqipëri, Korça është perfekte. Kaq shumë traditë, me pëlqeu arkitektura antike e aq me tepër muzika, me kujton serenatën italiane”
“Jam nga India. Hera e parë në Shqipëri dhe Korçë. Qytet i bukur. Hera e parë që dëgjoj serenatë. Të jep një ngrohtësi në shpirt. Çlodhesh kur e dëgjon”
Për Korçën serenata nuk është thjesht një këngë, është kujtesë, është kulturë, është shpirt i gjallë i këtij qyteti