Korça po përjeton ditët e fundit rënie të ndjeshme të temperaturave, të shoqëruara me prezencë të mjegullës, sidomos në orët e para të mëngjesit. Kjo situatë klimatike po sjell probleme veçanërisht për personat që vuajnë nga sëmundjet e mushkërive.
Doktoresha pneumologe, Diana Alickolli, thotë se këto kushte janë të pafavorshme për pacientët kronikë dhe rrisin rrezikun e infeksioneve të shpeshta.
“Kjo është klimë e disfavorshme për pacientët kronikë, specifike për specialitetin tonë. Është e rrezikshme edhe për sëmundjet e tjera, por për diagnozat e mushkërive përbën një nga disavantazhet tona klinike, me marrje fryme të vështirësuar dhe infeksione të përsëritura.”
Mjekja apelon që të sëmurët me probleme respiratore të shmangin daljet në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes, periudha kur në Korçë rritet niveli i tymit, si pasojë e ngrohjes me dru dhe burime të tjera.
“Pacientët në orët e mëngjesit duhet të mos dalin, dhe po ashtu në darkë, për shkak të ‘tymit të famshëm’ në Korçë që shtohet me ftohjen e motit. Aktualisht kemi disa raste me temperaturë dhe virozë. Duhet të kenë kujdes nga vendet e grumbullimit, eventet, në mënyrë që të shmangim shtrimet. Periudha e pneumonive zakonisht nis në janar – sa më pak pacientë të sëmurë rëndë, aq më shumë hapësirë kemi për trajtime adekuate.”
Ndërkohë, numri i personave të shtruar në sanatoriumin e Korçës mbetet i qëndrueshëm, por vërehet një rritje e lehtë e rasteve me virozën e stinës.




