Një nga studiuesit më të njohur të artit bizantin dhe postbizantin, arkeologu grek Yoannis Vitaliotis, kërkues pranë Akademisë së Shkencave të Athinës, ka vizituar së fundmi zonën e Mokrës dhe Gorës, me fokus tek piktura murale postbizantine në kishat e vjetra të kësaj treve.
Gjatë eksplorimit të monumenteve të kultit, shkencëtari Vitaliotis ka dhënë kontribut të çmuar me vlerësimin e elementëve ikonografikë dhe të veçantive stilistike që ruajnë trashëgiminë e pasur shpirtërore të zonës.
Një detaj mbresëlënës gjatë rrugëtimit ishte fakti se ai përshkruante kishat dhe historinë e tyre në një shqipe arbërore, “gluhën e origjinës”, siç e thekson vetë profesori.
Së shpejti pritet të publikohet edhe një artikull shkencor i dedikuar këtyre monumenteve, i cili do të ndriçojë më tej rëndësinë historike dhe artistike të kishave postbizantine në Mokër dhe Gorë.




