Gazetari Mentor Kikia ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me një deklaratë të analistit Arjan Curi në një emision televiziv “për bashkëqeverisjen PS-PD”.
Ky i fundit shprehet se gazi i skaduar i hedhur ndaj protestuesve ishte në ndihmë të protestës.
Kikia shprehet në reagimin e tij se qëndrimi dhe deklaratat e Curit janë tallëse për ato që janë plagosur nga përdorimi i këtij gazi lotsjellës.
Më tej shton se duke lënë mënjanë dimensionin politik të këtij qëndrimi, kjo është një “përdhosje” e hapësirës mediatike.
Reagimi i plotë:
Ekrani mund të jetë privat, por ajo që thuhet aty është publike!
Unë nuk e përdor asnjëherë fyerjen kur debatoj apo replikoj me kolegë ose politikanë në studio televizive.
Mund të shpreh një mendim të ndryshëm, ose mund t’i kundërshtoj kur kam fakte te tjera. Pastaj analiza është zgjedhje e secilit.
Por gjithmonë kam parasysh se ajo që thuhet në ekran është shumë e rëndësishme, pasi mund të ndikojë qoftë edhe një njeri të vetëm.
Por, pasi dëgjova këtë qëndrim të Arjan Currit, i cili e justifikon gjuhën e tij duke u fshehur zakonisht pas etiketës së ironisë dhe cinizmit, mund ta përdor pa mëdyshje shprehjen: Ky qëndrim është një perversitet!
Është zgjedhje e secilit të bëjë atë që mendon se është më mirë të bëjë.
Dikush zgjedh të protestojë!
Dikush zgjedh të qëndrojë në shtëpi!
Dikush e mbeështet, e dikush nuk është dakord me atë proteston.
Dikush mund të tallet, apo edhe të gëzojë për atë që plagoset, qoftë një polic apo qytetar.
Por kjo nuk duhet të ndodhë nëë ekran.
Jo!
P.S: Nuk jam i shqetësuar shumë për dimensionin politik të këtij qëndrimi, por për përdhosjen e hapësirës mediatike nga ata që kanë akses në këtë hapësirë.


