Prefektura e Qarkut Korçë njofton se reshjet e dendura të natës dhe orëve të para të mëngjesit kanë shkaktuar disa problematika në territor. Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave civile ndodhen në terren dhe po punojnë për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e dëmeve.
Bashkia Korçë
- Në ambientet e Prokurorisë së Korçës është konstatuar prezencë uji në bodrum dhe në arkivë.
- Ekipet përkatëse punuan gjatë natës për thithjen e ujit, me qëllim ruajtjen e dokumentacionit.
- Aktualisht situata paraqitet e stabilizuar.
Bashkia Maliq
- Në Bllokun 3 të Maliqit është regjistruar një masë elektrike dhe dyshohet mungesë energjie në një pjesë të qytetit. OSHEE ka ndërhyrë dhe, për shkak të prezencës së ujit, është kryer stakimi i fidrit.
- Po punohet për largimin e ujit dhe rikthimin e energjisë elektrike.
- Në Sovjan, MZSH ka evakuuar banorë, bagëti dhe kosha bletësh. Situata është drejt normalizimit.
- Në fshatin Leshnjë raportohet për bagëti të mbytura. Strukturat vendore janë në terren.
- Në zonën përballë fshatit Vlocisht, uji ka hyrë në oborret e disa banesave. Po kryhet ndërhyrje për normalizimin e gjendjes.
- Lumi Dunavec ka pësuar çarje në dy pika, duke shkaktuar përmbytje në sipërfaqe të tokave bujqësore. Po vjen mjet i specializuar nga Pogradeci për ndërhyrje urgjente.
Bashkia Pustec
- Raportohet rrezik daljeje të përroit në rrugën kombëtare Doganë–Goricë e Vogël. Monitorimi vijon në mënyrë të vazhdueshme.
- Në aksin Zvezdë – Goricë ka prezencë inertesh të sjella nga reshjet intensive. Kontraktori ndodhet në terren dhe po kryen pastrimin e rrugës.
Bashkia Devoll
- Në fshatin Progër, situata mbetet e rënduar për shkak të reshjeve të shumta të natës.
- Probleme janë evidentuar edhe në fshatin Mancurisht.
- Në fshatin Dobranj kërkohet ndërhyrje urgjente, pasi dalja e përroit ka përmbytur tokat bujqësore.
- Rruga Miras – Arrëz ka pësuar shkarje dheu dhe gurësh. Ekipet janë nisur për verifikim dhe ndërhyrje.
- Në Poloskë është përmbytur një banesë; gjatë natës është vendosur pompë për largimin e ujit.
- Në Qytezë raportohet shkarje dheu.
Masat në vijim
Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave civile vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në të gjitha zonat problematike. Prefektura e Qarkut Korçë është në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet përgjegjëse me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe normalizimin sa më të shpejtë të situatës.


