Sot pashë një nga ato raste që të ngrijnë shpirtin.
Para meje erdhi një vajzë vetëm 22 vjeç, krejt e ftohtë, sikur firmoste një letër pa peshë, pa kuptuar asgjë nga ajo që po ndodhte. Ajo nuk mendonte me mendjen e vet — mendonte me mendësinë e nënës së saj, me frikën e gojëve të fshatit, me paragjykimin e vjetër ndaj një vajze që ka mbetur shtatzënë jashtë martese dhe “nuk mund të deklarojë babain”.
Më tronditi edhe më shumë sjellja e nënës së saj: e ftohtë, e akullt, e pashpirt… sikur aty të mos bëhej fjalë për nipin e saj, për një jetë që sapo kishte ardhur në botë, por për diçka krejt tjetër. Nuk pati asnjë lëkundje, asnjë ndjesi, asnjë çast njerëzor.
Dhe në qendër të gjithë kësaj drame qëndron fëmija.
Një foshnje krejt e pafajshme 3 ditëshe.
Një jetë që nuk ka asnjë faj, që nuk i ka askujt borxh, që nuk meritonte të përballej me një fillim të tillë. Një engjëll i vogël që u gjend përballë paragjykimeve, frikës dhe turpit që nuk i përkasin atij.
Kështu, sot, ai fëmijë u la në maternitet… jo për shkak të tij, jo për shkak të asaj që është, por për shkak të mendësisë së një bote që ende nuk di të jetë e drejtë me më të pafajshmit.
Ne bëjmë qindra akte çdo ditë… por ka disa që të mbesin në shpirt si plagë të thella.
Ky i sotmi ishte një pasqyrë e hidhur e paragjykimit që ende sundon — dhe që godet më shumë pikërisht ata që s’kanë bërë asgjë, ata që sapo kanë filluar jetën.
Vajza sot ia la institucioneve të vendit të marrin vendimin për rritjen e këtij engjëlli.
Ajo nuk kishte as guximin, as mendësinë, as mbështetjen që ta rritë vetë këtë fëmijë. Ajo refuzoi ta marrë atë me vete në shtëpi.
Korçë, 27/11/2025
Një copëz e errët nga përditshmëria jonë.


