Historiani dhe profesori Aurel Plasari theksoi se vendosja e bustit të Llazar Fundos në Korçë i rikthen drejtësinë historike njëriit prej intelektualëve më të persekutuar të shekullit.
Historiani tha se monumenti që i ka ndërtuar Korça është një borxh historik, një vlerë e shtuar kujtesës së Korçës dhe të Shqipërisë, për një viktimë që më thjesht sesa ta quajmë të diktaturës, ishte viktimë personale e Enver Hoxhës.
Plasari zbuloi të tjera detaje historike duke thënë se ish-diktatori Enver Hoxha në mesazhin e tij për të vrarë Zai Fundon pyetja e parë që kishte kërkuar t’i bëhej ishte “Përse ka vajtur në Kosovë?”
Historiani dhe profesori Aurel Plasari nënvizoi se ky është një tregues i xhelozisë së sundimtarëve kundër intelektualëve dhe njerëzve të mendjes
“Mendoj se monumenti që i ka ndërtuar Korça është një borxh historik, një vlerë e shtuar kujtesës së Korçës dhe të Shqipërisë, për një viktimë që më thjesht sesa ta quajmë të diktaturës, ishte viktimë personale e Enver Hoxhës.
Kjo është një e vërtetë që duhet theksuar në histori se tashmë është e dokumentuar, pavarësisht nga interpretimet e ndryshme që i janë dhënë krimit për ekzekutimin e tij fizik dhe për torturimin e tij.
Të mos harrojmë që në mesazhin e tij për të vrarë Zai Fundon, Enver Hoxha që s’ishte ende në pushtet dhe kishte filluar vrasjet, jepte porosi që t’i bëheshin disa pyetje, dhe e para ishte ‘Përse ka vajtur në Kosovë?’
Kjo duhet të na bëjë të kuptojmë edhe më qartë kontekstin e ekzekutimit të një intelektuali si Llazar Fundo, si tregues i xhelozisë së sundimtarëve kundër intelektualëve dhe njerëzve të mendjes. Është mësim historik për çdo kohë, jo vetëm për kohën kur ka ndodhur tragjedia e zhdukjes së tij fizike”
Busti i Zai Fundos eshte vendosur në një shesh në pedonalen e qytetit të Korçës, shumë pranë shtëpisë ku Fundo u lind dhe u rrit




