Ministri i Bujqësisë Andis Salla ka zhvilluar këtë pasdite një takim me fermerët e fushës së Maliqit, të cilët më herët protestuan para Bashkisë Maliq, duke kërkuar dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet dhe ndryshime në skemën kombëtare të mbështetjes për bujqësinë.
Pas takimit, ministri Salla u shpreh se ka dëgjuar dhe marrë sugjerime të vlefshme nga fermerët në lidhje me skemën mbështetëse, ndërsa garantoi se pas përfundimit të procesit të verifikimit të dëmeve, fermerët do të dëmshpërblehen.
Dy përmbytjet e ndodhura brenda një periudhe të shkurtër në fushën e Maliqit kanë ardhur si pasojë e çarjes së argjinaturës, e cila sipas ministrit nuk ka patur investime prej vitesh. Ai bëri të ditur se ekziston një projekt konkret për rehabilitimin e saj, i cili pritet të financohet gjatë këtij viti.
Nga përmbytjet në fushën e Maliqit janë prekur mbi 4 000 hektarë tokë bujqësore, ndërsa rreth 1 200 hektarë vijojnë të jenë ende nën ujë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme për fermerët e zonës.




