Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë:
-arrestuan në flagrancë shtetasin Martin Koça, 44 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje. Gjithashtu, gjatë shoqërimit në komisariat, 44-vjeçari ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë;
-referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin E. T., 50 vjeç, pasi gjatë kontrollit në ambientet e një lokali që ka në përdorim, në lagjen nr. 9, janë gjetur pajisje që shërbejnë për lojëra fati, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin K. M., 30 vjeç, banues në Maliq, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur më send të fortë një 38-vjeçar.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin N. K., 30 vjeç, banues në Çiflig, pasi duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar lehtë pasagjerja në automjet.
Më datë 16.06.2025, në aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”, dyshohet se për shkak të një defekti, ka marrë flakë në lëvizje automjeti tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi V. Ç. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Më datë 16.06.2025, shtetasi N. Sh., 51 vjeç, banues në Libonik, duke punuar në banesën e shtetasit A. M., dyshohet se aksidentalisht është dëmtuar në kokë. Ai mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Në Komisariatin e Policisë Kolonjë është paraqitur shtetasi S. P., 55 vjeç, banues në Ersekë, i cili ka kallzuar se i kanë vjedhur një shumë lekësh në banesën e tij, gjatë kohës që aty nuk ka patur njeri. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.