Vijojnë kontrollet në të gjithë territorin e qarkut Korçë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Qarku”, me qëllim evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme të lojërave të fatit dhe informalitetit.
Si rezultat i kontrolleve të fundit, janë goditur 4 raste të tjera të këtyre veprimtarive në Maliq dhe në Korçë, ndërsa janë proceduar penalisht 4 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit R. B., 23 vjeç dhe A. H., 43 vjeç, banues në Maliq, pasi gjatë kontrolleve në lokalet e tyre, në qytetin e Maliqit dhe në fshatin Libonik, u konstatua se aktivitetet nuk ishin të regjistruara në organet tatimore dhe nuk dispononin kasë fiskale për lëshimin e kuponave tatimorë.
Po ashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë proceduan penalisht shtetasin E. M., 36 vjeç, banues në Korçë, pasi nga verifikimet në lokalin e tij rezultoi se kishte punësuar në mënyrë të paligjshme një punonjës, të paregjistruar në organet tatimore.
Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq proceduan penalisht shtetasin R. P., 39 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq, pasi gjatë kontrollit të celularit të tij në lokalin ku ndodhej, u konstatuan faqe aktive për baste sportive. Celulari u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.




