Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë kanë ndërmarrë një sërë veprimesh policore në disa zona të qarkut, duke çuar në arrestime dhe procedime penale për vepra të ndryshme penale.
Në aksin rrugor “Qafë Plloçë–Qukës”, në afërsi të fshatit Vërri, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” shtetasi D. Xh., 33 vjeç, banues në Selcë e Poshtme, Pogradec. Ky shtetas, duke drejtuar një automjet tip “Benz”, u përplas me një automjet tjetër me drejtues shtetasin A. K., 25 vjeç, banues në Korçë. Si pasojë e aksidentit, u dëmtuan dy pasagjere, të cilat po marrin mjekim në spitalin e Elbasanit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin K. D., 38 vjeç, banues në Tiranë, i cili në afërsi të fshatit Rëmbec, Maliq, duke drejtuar automjetin tip “Skoda”, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Si pasojë, u dëmtuan dy pasagjerë, një 36-vjeçar dhe një 11-vjeçar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” ndaj shtetasve J. Gj., 58 vjeç, noter, dhe S. Ll., 38 vjeç, banues në Devoll. Procedimi nisi pas transmetimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ “Stop”, ku dyshohet për përpilim aktesh noteriale me firma të paraplotësuara.
Po ashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori për shtetasin R. R., 31 vjeç, dhe një 17-vjeçar, pasi dyshohet se ky i fundit ka vjedhur një bagëti të imët, të cilën më pas ia ka shitur 31-vjeçarit.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasin M. S., 22 vjeç, banues në Gjonomadh, Korçë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj gjyshit të tij. Viktima është pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Të gjitha materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Pogradec / Informacion paraprak
Më datë 19.12.2025, në fshatin Memëlisht, Pogradec, një 17-vjeçar dyshohet se ka konsumuar një sasi të vogël detergjenti në banesë. Ai u transportua në spital për mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.




