Doktor Ylli Ziçishti, i njohur nga miqtë dhe pacientët si “doktor Ziçishti”, është një prej figurave më të respektuara të mjekësisë shqiptare. Mijëra qytetarë e kujtojnë si njeriun që u fali jetë të re përmes profesionalizmit dhe humanizmit të tij të pashoq.
I lindur më 15 shkurt 1950 në Tiranë, ai është bir i Devollit, vendlindja e poetit të madh Dritëro Agolli. Nëse vargjet e Dritëroit shëronin shpirtin e shqiptarëve, doktori i Devollit e bënte këtë përmes bisturisë dhe duarve të tij të arta.
Ziçishti vjen nga një familje e njohur, por e goditur nga diktatura komuniste. Babai i tij, Mihallaq Ziçishti, mbajti poste të larta në sistemin e kohës deri në dënimin si pjesë e grupit të Mehmet Shehut, bashkë me vëllanë e tij Llambin. Pavarësisht trazirave familjare, Ylli Ziçishti ndoqi rrugën e mjekësisë, duke u diplomuar në Tiranë dhe më pas specializuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Karriera e tij është e lidhur fort me Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku për 16 vite rresht shërbeu si Shef i Urgjencës. Me përkushtim të jashtëzakonshëm, ai u bë mbështetje për pacientët më të vështirë, duke mos kursyer asgjë nga vetja. Për shumë vite shërbeu edhe në qytetin e Tepelenës, ku emri i tij përmendet ende me respekt të madh. “Doktori ynë i pakorruptueshëm, duararti që më fali jetën vetëm me një ‘faleminderit’, mbetet njeri i madh e i pazëvendësueshëm”, thotë një nga qytetarët tepelenas.
Nga viti 2013 deri më 2017, Ylli Ziçishti shërbeu edhe si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, përfaqësues i Devollit nga radhët e së majtës. Megjithatë, për qytetarët ai ka mbetur mbi të gjitha mjeku human, njeriu që mishëroi figurën e mjekut të vërtetë dhe qytetarit shembullor.
Sot, doktor Ziçishti kujtohet dhe nderohet për dashurinë e pakufi ndaj profesionit dhe pacientëve. Figura e tij mbetet një model i rrallë i humanizmit dhe përkushtimit në shërbim të njerëzve.