Ishte shumë e re, e pan johur, kur u shfaq në mjedisin shqiptar të basketbollit të femrave në fillim të viteve 70-të. Por karriera e saj do të merrte rrugë me shpejtësi: nga zbulimi i zysh Anit, te Vaso Shaka, i cili në Korçë e evidentoi si një sportiste të talentuar me elemente teknike të larta në driblim, aftësi organizuese dhe vizion loje.
Nuk ishte as 16- vjeçe dhe ai e aktivizoi në formacionin e të rriturave. Pastaj në kombëtare, e thirrur nga trajneri vlonjat Stefa dhe në pak vite ajo bëhet e njohur me stilin e saj tërheqës e me një koncept loje pak më ndryshe. Por edhe nga fakti që mban një mbiemër të rrallë, kur në fushat sportive të kohës filloi të qarkullonte se po shpërthente një talent i ri, dhe ajo quhet Diana Shoshkiç.
Kampione në shah dhe me numrin 11-të si të Simonoviç në parket, aktore në filmin “I treti”, pasioni për futbollin, miqësorja në Vlorë që habiti kosovarët dhe largimi i papritur. Nxënësja e 8-vjeçares që shtangu “21-shin” kur e panë për herë të parë me “bleu-jeans” dhe ku janë sot fëmijët e familjes “Shoshkiç”? Të gjithë basketbollistë e financierë…
Një i ri 20-vjeçar me gjimnazin e përfunduar në qytetin Ivangrad, sot Berane në Malin e Zi, bashkë me disa moshatarë për bindje të ndryshme politike, të ndjekur nga regjimi, në vitin 1948 largohen nga atdheu dhe si emigrantë politikë vijnë në Shqipëri. Ky grup me të rinj malazezë vendosen në qytetin e Shijakut.
Pas përfundimit të studimeve, Dobrillo fillon punë në NTLFZ, si ekonomist dhe njëkohësisht i angazhuar pranë “Radio Tiranës”, në Redaksinë e Jashtme si përkthyes, spiker, vëzhgues, aty ku edhe doli në pension.
FILLIMET, E GJITHANSHME, KAMPIONE EDHE NË SHAH…
Vitet e para, ato të fillores së Dianës, janë të lidhura me shkollën mitike të asaj zone, “Naim Frashëri” dhe më- suese kishte Liri Strakoshën. Pastaj te “Luigj Gurakuqi”.
Diana ishte protagoniste në atletikë, e para në shtizë, kërcim së larti, ping-pong etj. Shquhet edhe në shah duke u shpallur kampione për moshën në kampionatin e nxënësve të Tiranës. “Shahun e luanim çdo mbrëmje në shtëpi, unë me vëllain Sllave”, kujton Diana për “Panorama Sport”