Po të duash vërtet të kuptosh sa shumë e duan politikanët shqiptarë këtë vend dhe sa sinqerisht kanë investuar për të ardhmen e tij, nuk ke nevojë të dëgjosh fjalimet patriotike, as premtimet e stërpërsëritura në fushata, mjafton të shohësh me qetësi një detaj shumë domethënës: ku i kanë fëmijët dhe ku zgjedhin t’i shkollojnë.
Sepse, çuditërisht, ndërsa Shqipëria përshkruhet si vendi i mundësive, i reformave dhe i së ardhmes së ndritur, fëmijët e tyre pothuajse kurrë nuk e shijojnë këtë realitet nga brenda sistemit që prindërit e tyre drejtojnë, por e shohin nga larg, nga auditorët e universiteteve më të mira jashtë vendit, atje ku standardi është real dhe jo slogan.
Me bursat që në letër ekzistojnë për fëmijët që nuk kanë mundësi, ata që realisht nuk kanë asnjë problem financiar, studiojnë aty ku u do qejfi, pa pengesa, pa radhë dhe pa stres, ndërsa për pjesën tjetër mbeten vetëm broshurat dhe fjalët e bukura për barazi shansesh.
Dhe këtu nuk ka dallim mes pozitës dhe opozitës, sepse me vite e kanë provuar të gjithë të njëjtën formulë: sapo futen në pushtet, gjëja e parë që rregullohet nuk është arsimi, shëndetësia apo drejtësia, por valixhja e fëmijëve drejt jashtë, që në rastin më të “mirë” të kthehen më pas në Shqipëri, të sistemuar me “meritë” në pozicionet më të mira, ose në rastin tjetër, të kenë shtëpitë, jetën dhe sigurinë e tyre të ndërtuar larg këtij vendi.
Ndërsa Shqipëria, si gjithmonë, mbetet këtu: me të njëjtat probleme, të njëjtën retorikë dhe me të njëjtin premtim të pambaruar, të trajtuar jo si shtëpi, por si një vend pune i përkohshëm, nga i cili largohesh sapo të mbaron mandati.




