Korça po përballet me një tjetër sinjal të fortë të tkurrjes demografike. Të dhënat më të fundit të INSTAT, për tremujorin e dytë të vitit 2026, e rendisin qarkun e Korçës të parin në vend për bilancin natyror negativ.
Në tre muaj, në qarkun e Korçës u regjistruan 265 vdekje më shumë se lindje. Në rang kombëtar, gjatë së njëjtës periudhë pati 218 lindje më shumë se vdekje, duke e bërë Korçën qarkun me diferencën më të madhe negative.
Ekspertët e lidhin këtë situatë me plakjen e popullsisë, emigrimin e të rinjve dhe mungesën e mbështetjes së mjaftueshme për çiftet e reja.
Qarku i Korçës po përballet prej vitesh me tkurrje të popullsisë. Banorët mbi 65 vjeç përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, ndërsa grupmoshat e reja janë gjithnjë e më të pakta.
Një ndër faktorët kryesorë është largimi i të rinjve në kërkim të mundësive më të mira të punësimit, pagave më të larta dhe një perspektive më të mirë profesionale. Mungesa e politikave mbështetëse për çiftet e reja, si strehimi, qiratë e përballueshme dhe kreditë e lehtësuara, e bën edhe më të vështirë krijimin e familjeve dhe rritjen e lindjeve.
Të moshuarit në Korçë thonë se gjithnjë e më shumë po mbeten vetëm, ndërsa fëmijët dhe nipërit janë larguar jashtë vendit për një jetë më të mirë.
Sipas tyre, lagjet dhe rrugët ku dikur kishte zë fëmijësh, sot dominohen nga banorë të moshave të treta.
Ekspertët paralajmërojnë se, nëse ky trend nuk ndryshon, sfida për Korçën nuk do të jetë vetëm sa banorë do të ketë në të ardhmen, por edhe kush do të jetojë në qytetin më të madh të juglindjes së Shqipërisë.


