Pogradec – Policia Kufitare u ka ardhur në ndihmë dy shtetasve që kishin dalë në liqenin e Pogradecit me një pedalinë, por nuk po mundeshin të ktheheshin në breg për shkak të lodhjes.
Ngjarja u konstatua gjatë patrullimit të shërbimeve të Policisë Kufitare në sektorin liqenor, në zonën përballë “Urës”. Efektivët vunë re dy shtetas që po kërkonin ndihmë dhe u afruan menjëherë me mjetin lundrues të shërbimit.
Sipas Policisë, dy shtetasit kishin marrë me qira pedalinën për t’u futur në liqen dhe për t’u larë. Gjatë notimit, njëri prej tyre ishte lodhur dhe nuk po mundej të hipte sërish në pedalinë për t’u kthyer në breg.
Shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë, duke u dhënë ndihmën e nevojshme dhe duke bërë të mundur kthimin e sigurt të të dyve në breg.
Pas shpëtimit, dy shtetasit falënderuan efektivët për reagimin e shpejtë dhe profesionalizmin e treguar.
Policia Kufitare vijon të jetë e angazhuar për garantimin e sigurisë së qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve që frekuentojnë liqenin e Pogradecit. Policia u bën thirrje qytetarëve që, në çdo situatë emergjente, të telefonojnë pa pagesë në numrin 112.


