Një ditë e dedikuar shëndetit, solidaritetit dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Greqisë u zhvillua në Korçë, ku rreth 30 mjekë specialistë nga qyteti i Volosit ofruan vizita dhe konsulta mjekësore falas për qytetarët.
Nisma humanitare u organizua nga Mitropolia e Shenjtë e Korçës në bashkëpunim me Mitropolinë e Shenjtë të Dhimitriadës, duke sjellë në Shqipëri një model vullnetar shërbimi që prej vitesh aplikohet në zona me akses të kufizuar në shërbimet shëndetësore në Greqi.
Gjatë gjithë ditës, qytetarë të moshave të ndryshme iu drejtuan ambienteve të përshtatura për këtë aktivitet, ku iu nënshtruan vizitave dhe ekzaminimeve tek specialistë të fushave të ndryshme. Mjekët kishin sjellë gjithashtu pajisje diagnostikuese, duke mundësuar kontrolle më të detajuara dhe këshillim shëndetësor pa pagesë.
Sipas organizatorëve, rreth 450 pacientë u planifikua të vizitoheshin gjatë ditës, ndërsa nisma u vlerësua si një akt solidariteti dhe dashurie ndaj komunitetit, me synimin që të kthehet në një traditë bashkëpunimi mes dy mitropolive.
Mitropoliti i Korçës, Hirësi Anastasi, theksoi rëndësinë e kësaj nisme për qytetin dhe qytetarët që kanë vështirësi në aksesin e shërbimeve shëndetësore, duke e cilësuar si një shembull që duhet të frymëzojë edhe iniciativa të ngjashme vendase.
Nga ana e tij, Mitropoliti i Dhimitriadës, Hirësi Ignatios, u shpreh se qëllimi i projektit është që mjekët t’u afrohen njerëzve, duke vënë theksin te mjekësia parandaluese dhe bashkëpunimi humanitar mes komuniteteve.
Mjekët pjesëmarrës vlerësuan mikpritjen në Korçë dhe theksuan se misione të tilla nuk kanë vetëm vlerë mjekësore, por edhe sociale, duke krijuar ura bashkëpunimi dhe solidariteti mes vendeve dhe profesionistëve.
Nisma pritet të shërbejë si bazë për bashkëpunime të ardhshme, duke synuar zgjerimin e saj në vitet në vijim si një aktivitet i përhershëm humanitar.


