Kontrollet e Policisë Kufitare në qarkun e Korçës kanë çuar në kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe në goditjen e dy rasteve të kontrabandës së mallrave.
Në pikën kufitare të Goricës, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, është kapur një 57-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Vjena, Austri. Ai akuzohet për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë, ndërsa Gjykata Rajonale e Vjenës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në gusht të vitit 2025.
Pas arrestimit të përkohshëm, kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Austrisë.
Ndërkohë, në pikën kufitare të Kapshticës janë zbuluar dy raste të kontrabandës së mallrave. Gjatë kontrolleve në vijën e dytë, në dy autobusë janë gjetur mallra të dyshuara të kontrabanduara, mes tyre cigare, produkte ushqimore, medikamente, vaj dhe pjesë automjetesh.
Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë një 55-vjeçar, banues në Tiranë, ndërsa një 29-vjeçar tjetër u procedua në gjendje të lirë. Të gjitha mallrat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.


