Close Menu
Bufi UrteBufi Urte
    What's Hot

    Rrëfimi i Pustecit, përtej anomalisë së himnit

    August 30, 2026

    Korçë/ Sherr mes katër personash, arrestohen dy vëllezër, dy të plagosur

    August 30, 2026

    Fotini Allteni Kokeri nderohet në Tampa Bay me çmim të rëndësishëm

    August 30, 2026
    Facebook X (Twitter) Instagram
    • Na kontaktoni
    • Punesim
    • Marketing
    Facebook Instagram
    Bufi UrteBufi Urte
    • Home
    • Vendi
    • Rajoni
    • Evropa
    • Bota
    • Kulture
    • Jetese
    • Sport
    Bufi UrteBufi Urte
    Home » Rrëfimi i Pustecit, përtej anomalisë së himnit
    Vendi

    Rrëfimi i Pustecit, përtej anomalisë së himnit

    August 30, 2026
    Facebook WhatsApp Copy Link
    Share
    Facebook WhatsApp Copy Link

    Himni që nuk u luajt në Pustec, dilema e një bashkie në kufi dhe versioni i kryebashkiakut Pali Kolefski

    Bashkia e vogël dhe e qetë minoritare e Pustecit nuk e kishte pandehur se do të kthehej në qendër të vëmendjes publike më 20 gusht.

    Your browser does not support the video tag.

    Në një aktivitet ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, një debat që preku protokollin, simbolet kombëtare dhe marrëdhëniet me komunitetin maqedonas në Prespë mori udhë.

    Mes dilemave dhe reagimeve të shumta, një hije e nacionalizmit të thellë që mbetet plagë në gjithë cepat e Ballkanit u zgjua. Çështja megjithatë, nuk u shterua realisht asnjëherë.

    Teksa kryebashkiaku i Pustecit, Pali Kolefski, rrëfen për të parën herë për Albanian Post çfarë ndodhi para dhe gjatë aktivitetit dhe pse, sipas tij, Bashkia nuk mund të mbajë përgjegjësi për himnin që nuk u ekzekutua.

    Dhe ky, është rrëfimi për Pustecin!

    Në Pustec, kufiri nuk është thjesht një vijë në hartë. Është pjesë e përditshmërisë.

    Fshatrat e kësaj bashkie të vogël të Korçës shtrihen përgjatë liqenit të Prespës dhe në një territor ku marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut kanë qenë historikisht më shumë se marrëdhënie mes dy vendeve fqinje. Familjet, gjuha, kultura, tregtia, lëvizjet dhe lidhjet njerëzore e kanë bërë kufirin një hapësirë bashkëjetese.

    Pusteci është një nga ato vende ku identitetet shfaqen hapur. Është bashki e Republikës së Shqipërisë, por komuniteti maqedonas përbën shumicën e popullsisë së saj. Gjuha maqedonase shfaqet krahas shqipes në hapësirat publike, ndërsa në territor përdoren edhe simbole që lidhen me identitetin e këtij komuniteti.

    Pikërisht për këtë arsye, një incident protokollar që në një qytet tjetër mund të shihej si një çështje e kufizuar ceremoniale, në Pustec mori një peshë tjetër.

    Më 20 gusht, gjatë një aktiviteti ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u ekzekutua himni maqedonas, por jo Himni Kombëtar i Republikës së Shqipërisë.

    Mungesa e himnit shqiptar u kthye shpejt në çështje publike dhe diplomatike.

    Por, sipas kryetarit të Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, historia nuk duhet të nisë nga momenti kur muzika filloi të luhej. Duhet të nisë më herët.

    Në përgjigjen e tij për Albanian Post, Kolefski vendos që në fillim një vijë ndarëse mes institucionit që drejton dhe organizatorëve të aktivitetit.

    Pali Kolefski, kreu i Bashkisë Pustec

    Sipas tij, aktiviteti nuk ishte organizuar nga Bashkia Pustec, por zhvillohej në kuadër të një projekti të Shoqatës VMRO-DPMNE Shqipëri, e cila, sipas Bashkisë, kishte përgjegjësinë për programin, protokollin dhe agjendën.

    “Bashkia Pustec nuk ka qenë përgjegjëse për përmbajtjen artistike dhe ceremoniale të programit dhe as për ekzekutimin e himneve gjatë ceremonisë”, sqaron Kolefski.

    Është një detaj i rëndësishëm për të kuptuar versionin e Bashkisë.

    Sepse, nëse institucioni vendor nuk kishte hartuar programin dhe nuk administronte protokollin e aktivitetit, pyetja e dytë bëhet më interesante: A e kishte kuptuar Bashkia paraprakisht se mund të lindte një problem i tillë?

    Përgjigjja e Kolefskit është po!

    Madje, sipas tij, pikërisht për këtë arsye çështja ishte ngritur përpara aktivitetit.

    Paralajmërimi para ceremonisë

    Kolefski thotë se Bashkia Pustec u kishte kërkuar organizatorëve agjendën e aktivitetit.

    Në program ishte parashikuar edhe një fjalë përshëndetëse e kryetarit të Bashkisë.

    Por, sipas tij, komunikimi nuk u kufizua vetëm te fjalimi.

    “Gjatë komunikimit paraprak me organizatorët, Kryetari i Bashkisë Pustec e ka bërë të qartë se, nëse në kuadër të ceremonisë do të ekzekutohej himni i Maqedonisë së Veriut, duhej të ekzekutohej edhe himni Kombëtar i Republikës së Shqipërisë”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë.

    Kolefski shton se kjo kërkesë nuk ishte një reagim i krijuar posaçërisht për aktivitetin e 20 gushtit. Sipas tij, një situatë e ngjashme ishte konstatuar disa muaj më parë në një aktivitet tjetër.

    Pra, për kryebashkiakun, nuk bëhej fjalë për një çështje të paparashikuar. Ishte diçka për të cilën, sipas tij, organizatorët ishin paralajmëruar.

    “Pikërisht për të shmangur përsëritjen e një situate të tillë, Bashkia Pustec e ngriti këtë çështje paraprakisht me organizatorët”, shprehet Kolefski.

    Dhe këtu historia merr një kthesë.

    Sepse, sipas versionit të Bashkisë, organizatorët e kishin pranuar kërkesën. Por gjatë ceremonisë, ajo nuk u respektua!

    Momenti i ceremonisë

    Kjo është pika ku përplasja mes asaj që ishte komunikuar paraprakisht dhe asaj që ndodhi në skenë bëhet konkrete.

    Himni i Maqedonisë së Veriut u ekzekutua. Himni shqiptar jo.

    Për Kolefskin, ky nuk ishte një vendim i Bashkisë Pustec.

    Ai thotë se Bashkia nuk administronte regjinë, programin teknik apo protokollin e ceremonisë.

    “Moszbatimi i saj gjatë zhvillimit të drejtpërdrejtë të programit ishte një veprim që nuk ishte parashikuar dhe që nuk ishte nën kontrollin organizativ të Bashkisë”, argumenton ai.

    Por mbetet një pyetje e pashmangshme: Pse Bashkia nuk ndërhyri në atë moment?

    Kolefski e shpjegon praninë e tij në aktivitet përmes një arsyeje institucionale.

    Ai ishte aty për të respektuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut.

    Dhe, sipas përgjigjes së Bashkisë, pasi Mickoski u largua, kryebashkiaku u largua nga festivali në shenjë proteste.

    Kjo është mënyra se si Kolefski e përshkruan reagimin e tij. Jo si përplasje publike në skenë, por si një distancim pas përfundimit të pjesës së ceremonisë ku ishte i pranishëm kryeministri maqedonas.

    Në përgjigjen për Albanian Post, Bashkia e bën gjithashtu të qartë se distancohet nga ajo që e quan mosrespektim të simboleve kombëtare shqiptare.

    Pusteci, vendi ku identiteti nuk është një pyetje e thjeshtë

    Për ta kuptuar pse një incident i tillë merr kaq shumë peshë në Pustec, duhet parë edhe vendi ku ndodhi.

    Bashkia Pustec përfshin nëntë fshatra: Pustecin, Shulin, Leskën, Zaroshkën, Cerjen, Goricën e Madhe, Goricën e Vogël, Diellasin dhe Gollomboçin.

    Territori shtrihet përgjatë pellgut ujëmbledhës të liqenit të Prespës, një hapësirë që ka statusin e Parkut Kombëtar të Prespës dhe që përbën një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore të zonës.

    Por, përtej natyrës, Pusteci ka një veçori që e dallon nga shumica e bashkive të tjera shqiptare: popullsia e tij është e lidhur ngushtë me minoritetin maqedonas.

    Kjo veçori ka ndikuar edhe në mënyrën se si është konceptuar vetë njësia vendore.

    Bashkia e sotme e Pustecit përkon me ish-komunën Liqenas dhe përbëhet nga një njësi administrative, në një organizim që lidhet me përbërjen etnike të popullsisë.

    Këtu, identiteti maqedonas nuk është një element i fshehur i jetës komunitare. Ai është i dukshëm.

    Gjuha maqedonase përdoret krahas shqipes në sinjalistikën publike. Emri Pustec është rikthyer si emërtim zyrtar i njësisë vendore, ndërsa sheshi qendror mban emrin e Goce Dellçevit.

    Në këtë kuptim, Pusteci është një shembull i bashkëjetesës së identitetit kulturor të një pakice kombëtare me identitetin shtetëror të vendit ku jeton.

    Dhe pikërisht këtu qëndron edhe dilema e incidentit të 20 gushtit dhe arsyes se pse ndodhi.

    Kryebashkiaku e vendos çështjen në një kornizë më të gjerë.

    Nga njëra anë është e drejta e komunitetit maqedonas për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin e tij kulturor. Nga ana tjetër është respektimi i simboleve kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

    Kolefski këmbëngul se këto dy parime nuk janë në konflikt.

    “Bashkia Pustec mbetet e angazhuar për promovimin dhe ruajtjen e identitetit kulturor të komunitetit maqedonas në Prespë, si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë dhe diversitetit kulturor të zonës”, thuhet në përgjigjen e tij.

    Por menjëherë pas kësaj vjen edhe kufiri tjetër i argumentit.

    “Respektimi i identitetit kulturor të komunitetit dhe respektimi i simboleve kombëtare të Republikës së Shqipërisë janë parime që bashkëjetojnë dhe duhet të respektohen në çdo aktivitet publik”.

    Në thelb, kjo është edhe pika ku Kolefski e pozicionon institucionin që drejton.

    Pusteci, sipas tij, nuk duhet të detyrohet të zgjedhë mes identitetit të komunitetit maqedonas dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë.

    Të dyja duhet të bashkëjetojnë.

    Pas incidentit, marrëdhënia me organizatorët në pikëpyetje

    Megjithatë, për Bashkinë çështja nuk mbyllet me largimin e kryebashkiakut nga aktiviteti.

    Kolefski thotë se Bashkia Pustec do t’i kërkojë organizatorit një sqarim zyrtar për arsyen pse nuk u zbatua kërkesa e komunikuar paraprakisht.

    Por përgjigjja e tij shkon edhe më tej.

    Pas këtij veprimi, thotë ai, Bashkia Pustec do të ndërpresë çdo marrëdhënie me Shoqatën VMRO-DPMNE Shqipëri.

    Kjo është një nga pasojat më konkrete që Bashkia parashikon pas incidentit.

    Ndërkohë, për aktivitetet e ardhshme, institucioni thotë se do të kërkojë paraprakisht programin dhe agjendën e çdo aktiviteti që zhvillohet në territorin e Bashkisë, sidomos kur në to përfshihen ceremoni zyrtare, përfaqësues institucionalë apo elemente protokollare.

    Kjo do të thotë se ajo që ndodhi më 20 gusht pritet të ndikojë edhe në mënyrën se si Pusteci do të administrojë aktivitetet publike në të ardhmen.

    Në fund, Pusteci mbetet aty ku ka qenë gjithmonë: në skajin e Shqipërisë, pranë një kufiri që ndan shtete, por jo domosdoshmërish njerëzit.

    Një vend ku shqipja dhe maqedonishtja dëgjohen në të njëjtat rrugë, ku identiteti maqedonas është pjesë e jetës publike dhe ku institucioni vendor shqiptar duhet të mbajë njëkohësisht përgjegjësinë për respektimin e kuadrit shtetëror shqiptar dhe për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit që përfaqëson.

    Incidenti i himnit e bëri këtë ekuilibër të dukshëm.

    Dhe përgjigjja e Pali Kolefskit, të paktën në versionin që ai i jep ngjarjes, është se ekuilibri nuk prishet duke zgjedhur njërën anë.

    Ai duhet të ruhet duke respektuar të dyja.

    Tona
    Selita
    Zeqillari
    Max
    Your browser does not support the video tag.
    Share. Facebook WhatsApp Copy Link
    ECO

    Related Posts

    Korçë/ Sherr mes katër personash, arrestohen dy vëllezër, dy të plagosur

    August 30, 2026

    I shpëtoi operacionit të RENEA-s në Korçë, kush është Mihallaq Përgjika

    August 29, 2026

    KORÇË/ RENEA në kërkim të Mihallaq Përgjikës, dyshohej se fshihej në një pallat

    August 29, 2026

    Niko Peleshi mbledh deputetët e qarkut Korçë, ja porositë e tij

    August 29, 2026
    TE FUNDIT

    Rrëfimi i Pustecit, përtej anomalisë së himnit

    August 30, 2026

    Korçë/ Sherr mes katër personash, arrestohen dy vëllezër, dy të plagosur

    August 30, 2026

    Fotini Allteni Kokeri nderohet në Tampa Bay me çmim të rëndësishëm

    August 30, 2026

    I shpëtoi operacionit të RENEA-s në Korçë, kush është Mihallaq Përgjika

    August 29, 2026
    EKSKLUZIVE

    E plotë/ Një rrëfim ndryshe i Kryepiskopit Joan, nga kërkimi i së vërtetës te shërbimi ndaj Zotit

    E rëndë në Pogradec, rrufeja godet çobanin, ndërron jetë

    Arrestime dhe procedime penale në Korçë dhe Maliq, për vepra të ndryshme penale

    Advertisement
    eSIM SIGNAL
    Bufi Urte
    Facebook Instagram
    • Vendi
    • Rajoni
    • Evropa
    • Bota
    • Kulture
    • Jetese
    • Sport
    © 2026 Bufi Urte. Designed by Patron Marketing.

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.