Një rritje e ndjeshme e çmimit të kafes po vihet re prej disa ditësh në lokalet pranë qendrës së Pogradecit. Në disa prej bareve më të frekuentuara, një kafe ekspres po shitet deri në 120 lekë të vjetra, nga 80–100 lekë që ishte më parë, pa asnjë njoftim apo sqarim për konsumatorët.
Ky ndryshim, ndonëse mund të duket i vogël në vlerë absolute, përkthehet në një kosto të përditshme shtesë për dhjetëra familje, luks për pensionistë dhe të rinjtë, për të cilët kafeja është pjesë e rutinës ditore.
Në një qytet me të ardhura mesatare dhe me një ekonomi lokale të ndjeshme, rritje të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në fuqinë blerëse.
Ajo që e bën situatën edhe më problematike është nëse e krahasojmë me kryqytetin, ku rrogat janë dyfishi i Pogradecit, fakt është se, në shumë zona të Tiranës, përfshirë edhe lagje mjaft të frekuentuara, çmimi i kafesë ekspres vazhdon të variojë nga 70 deri në 100 lekë të vjetra. Kështu ngrihet pyetja mbi arsyet reale të shtrenjtimit në Pogradec. Cilat janë?
Mungesa e transparencës dhe rritjet e njëanshme të çmimeve nxisin perceptimin e një forme abuzimi, sidomos kur ndodhin në lokalet më të vizituara të qytetit, ku konkurrenca teorikisht duhet të frenojë rritjet e pajustifikuara.
Në këtë kontekst, kërkohet që institucionet përgjegjëse, përfshirë strukturat e mbrojtjes së konsumatorit dhe tatimet, të nisin kontrolle në terren për të verifikuar arsyet e rritjes së çmimeve, respektimin e detyrimeve ligjore dhe informimin korrekt të qytetarëve.
Pogradeci, si qytet turistik dhe komunitar, ka nevojë për politika çmimesh të drejta dhe të arsyetuara, që të mos rëndojnë më tej mbi ekonominë e familjeve dhe të mos dëmtojnë besimin e konsumatorëve.




